Afganistan, sulm me raketa në drejtim të aeroportit të Kabulit
Disa raketa u hodhën drejt aeroportit të Kabulit mëngjesin e së hënës...

Disa raketa u hodhën drejt aeroportit të Kabulit mëngjesin e së hënës, derisa trupat amerikanë përgatiten të tërhiqen nga Afganistani.
Një zyrtar amerikan i tha Agjencisë së lajmeve “Reuters” se pesë raketa u lëshuan në aeroport, por u penguan nga sistemi i mbrojtjes raketore. Raporte për viktima nuk ka. Afganistani është nën kontrollin e talibanëve që nga 15 gushti. Në kuadër të një marrëveshjeje me talibanët, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka caktuar 31 gushtin si afat për tërheqjen e trupave amerikanë.
SHBA-të dhe aleatët, kanë evakuuar mbi 117 mijë njerëz – të huaj dhe afganë – nga aeroporti i Kabulit, prejse talibanët morën kontrollin, dy javë më parë. Të shtunën, ushtria amerikane tha se një sulm i saj me dron mbi një automjet në Kabul, kishte parandaluar një sulm të grupit militant Shteti Islamik Korasan, që kishte në shënjestër njerëzit e tubuar në aeroportin e kryeqytetit.
