Botë
Afganistan, shënjestroi kamikazin, droni amerikan vret 9 civilë
30.08.2021 12:55
Shtetet e Bashkuara ndërmorën një sulm mbrojtës, duke shënjestruar një person të dyshuar si kamikaz..

Shtetet e Bashkuara ndërmorën një sulm mbrojtës, duke shënjestruar një person të dyshuar si kamikaz, të lidhur me Shtetin Islamik Khorasan, i cili sipas tyre, përbënte një kërcënim urgjent për aeroportin. Por sipas dëshmitarëve, sulmi shkatërroi një shtëpi në të cilën jetonin bashkë tre familje afgane, duke lënë të vdekur 9 persona, përfshirë 6 fëmijë, më e vogla e të cilave -një vajzë 2 vjeçe.
“Papritur dëgjuam zhurmën e mortajave. Kur erdhëm, makinat kishin marrë flake, pastaj pamë dhe disa fëmijë, fytyrat e tyre ishin djegur plotësisht.”,- tha një dëshmitar.
“Pashë diçka që ra dhe shpërtheu, të gjitha dritaret u thyen. Ne vrapuam, sollëm ujë dhe e fikëm zjarrin.”,- theksoi një dëshmitar.
“Një mortajë goditi shtëpinë, kur arritëm këtu, pamë të vrarët dhe të plagosurit. Ka edhe fëmijë të vdekur.”,- potencoi një dëshmitar.
“Në kohën kur populli i shtypur i Afganistanit priste që Emirati Islamik të përmirësonte ekonominë, situata e sigurisë po përkeqësohet dhe po vriten njerëz të pafajshëm.",- deklaroi një dëshmitar.
Nga komanda amerikane thonë se ende po hetojnë se çfarë në të vërtetë ndodhi. Ata dyshojnë se shpërthimi i fortë nuk është shkaktuar nga sulmi i dronit amerikan, por nga eksplozivi potencial në brendësi të makinës që u shkatërrua, e që sipas tyre mund të jetë bërë shkak për jetët e humbura.
Sulmi synonte të parandalonte një tjetër sulm të dyshuar nga ISIS, pas atij të së martës që la të vdekur mbi 100 persona, mes tyre edhe 13 ushtarë amerikanë. Të shtunën presidenti amerikan, Joe Biden, e bëri të qartë se SHBA do të reagojë fuqishëm ndaj çdo organizate terroriste apo individi që cenon sigurinë e trupave amerikane.
MIGENA GORENCA
