Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, partitë zbardhin kandidaturat, s’ndalen akuzat
30.08.2021 15:11
Partitë politike kanë afat deri më 11 shtator, të dorëzojnë në KSHZ listat e kandidatëve për zgjedhjet e 17 tetorit....

Partitë politike kanë afat deri më 11 shtator, të dorëzojnë në KSHZ listat e kandidatëve për zgjedhjet e 17 tetorit. Tashmë emrat po bëhen publikë. VMRO-DPMNE publikoi emrat e 10 kandidatëve të tjerë, për komunën e Resnjës, Dellçevës, Krushevës, Vasilevës, Kavadarcit, Rankovces, Novo Sellës, Debarces, Zrnovcit dhe Kratovës. Në mesin e tyre është edhe kryetari aktual i Kavadarcit Mitko Jançev me të cilin VMRO kishte mosmarrëveshje në të kaluarën.
“Në VMRO-DPMNE vlerësojmë se është koha për bashkim të të gjithë atyre që vlerësojnë se shteti po shkon në drejtim të gabuar. Dhe në atë kontekst ku mendimi ndryshe me Zaevin ose personat tjerë, siç ishte rastin në Kumanovë dhe Debarce do të thotë mosdhënie e mundësisë për garë lokale, VMRPO-DPMNE ka një qasje më të gjerë dhe vlerësojmë se Mitko Jançev është vetëm tregues se ajo kohë për bashkim kundër qeverisë ka ardhur pikërisht në këto zgjedhje lokale.”,- deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM kritikuan ndërkohë mbështetjen që opozita maqedonase, bashkë me atë shqiptare, ia dha gjatë fundjavës kandidates së pavarur për qytetin e Shkupit, Danella Arsovska, duke thënë se e njëjta është zgjedhur nga ish-kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
“Në vend të kandidaturës me vulë të VMRO-DPMNE-së, kuadri i Gruevskit, Arsovska, do të mundohet të aktrojë si kandidate e pavarur, por me nënshkrime të anëtarëve të partisë së VMRO-DPMNE-së, të cilët në bazë të direktivave partiake qëndruan pas kandidaturës së saj.”,- theksoi Stefan Vasev nga LSDM.
Edhe “E majta” konfirmoi mbështetjen për kandidatin e pavarur për qytetin e Shkupit, Petar Georgievski.
“Qëndrimi ynë parimor është se nuk hyjmë në koalicion parazgjedhor me askënd, kurse pas zgjedhjeve mundet të negociohet. Megjithatë, ajo është për shumicën në këshill, ku anketat tona flasin se E majta do të ketë rreth 10 këshilltar në këtë formacion të këshilltarëve. Që do të thotë se do të jetë një numër i respektueshëm, dhe pastaj janë të mundshme negociatat.”,- deklaroi Dimitar Apasiev nga “E majta”.
Edhe partitë shqiptare tashmë kanë bërë publikë disa prej kandidatëve, për të tjerët ende po vendoset. Në këto zgjedhje, paraprakisht janë bërë të ditura koalicionimet mes partive në pushtet dhe ato në opozitë dhe ndihmën që do ia japin njëra tjetrës, në rrethin e parë apo të dytë, në varësi të komunave. Fushata zgjedhore për zgjedhjet e 17 tetorit, fillon më 27 shtator.
ERSAN PAJAZITI
