Maqedoni

Zgjedhjet lokale, 21 kandidatë të pavarur kanë siguruar firmat

30.08.2021 15:20

Në mesnatë përfundon afati për mbledhjen e nënshkrimeve për listat dhe kandidatët e pavarur....

Në mesnatë përfundon afati për mbledhjen e nënshkrimeve për listat dhe kandidatët e pavarur. Nënshkrimet e nevojshme i kanë siguruar 21 kandidatë të pavarur, si dhe 42 grupe zgjedhësish për listat e këshilltarëve, njoftojnë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Gjithashtu në departamentet rajonale dhe zyrat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, nënshkrimet e nevojshme vazhdojnë të mblidhen nga 15 kandidatë për kryetarë bashkish dhe 26 grupe zgjedhësish për listat e kandidatëve për anëtarët e këshillave komunalë.
 
“Deri më tani 21 kandidatë të pavarur për kryetarë të komunave kanë siguruar nënshkrimet e duhura ndërsa 15 prej tyre vazhdojnë me mbledhjen e nënshkrimeve. Sa u përket listave të kandidatëve për anëtarë të këshillave të komunave, 42 lista i kanë siguruar nënshkrimet e duhura ndërsa 26 prej tyre vazhdojnë me mbledhjen e nënshkrimeve. Potencoj edhe një herë që sonte është afati i fundit për mbledhjen e nënshkrimeve dhe besojmë se gjatë ditës së nesërme do të kemi situatë definitive sa u përket numrit të kandidatëve.”,- deklaroi Admir Shabani nga KShZ.
 
Me përfundimin e afatit për mbledhjen e nënshkrimeve rrjedh afati për dorëzimin e listave për kandidatë e që skadon më11 shtator. Dokumentacionin e kompletuar kandidatët duhet ta dorëzojnë në  komunat përkatëse ku ata do të garojnë. Ndryshe deri në fund të javës KShZ pret që të arrijnë edhe aparatet për gjurmët e gishtërinjve. 
 
NAIM RAMADANI