Maqedoni

Bie numri të infektuarve me Covid në Tetovë, Pajaziti: Duhet kujdes, ende jemi në vijën e kuqe

30.08.2021 15:33

Ka nisur që të bie numri i të infektuarve me Covid në Tetovë, thonë mjekët, por sipas tyre....

Ka nisur që të bie numri i të infektuarve me Covid në Tetovë, thonë mjekët, por sipas tyre, kjo situatë nuk duhet që  ta marrim si triumf, por duhet pasur kujdes, pasi jemi ende në vijën e kuqe si qytet. Ata thonë se gjatë 24 orëve të fundit të infektuar me Covid-19 ka pasur 9 persona, ndërsa kanë ndërruar jetë dy. Për momentin në spitalin Covid në Tetovë të hospitalizuar ka 116 persona, të gjithë me terapi oksigjeni. Mjekët apelojnë për vaksinim sa më masovik të qytetarëve dhe kërkojnë respektim të masave anti Covid.
 
“Brenda 24 orëve të fundit në Tetovë kemi një ulje të numrit të të hospitalizuarve, 116 të hospitalizuar kemi, të gjithë janë me terapi oksigjeni. Fatkeqësisht kemi dy të vdekur të moshës mbi 50 dhe 80 vjeç. Edhe pranimet janë të ulura brenda 24 orëve të fundit kemi vetëm 9 pranime. Prej 116 të cilët për momentin janë të hospitalizuar, vetëm 6 persona janë të vaksinuar me një dozë. Unë apeloj deri tek qytetarët që të vaksinohen, pasi është mënyra e vetme që mund të mbrohemi.”,- deklaroi Miranda Pajaziti nga Qendra Covid në Tetovë.
 
Ndërkohë procesi arsimor në Tetovë për shkollat e mesme do të jetë online, ndërsa nxënësit  e shkollave fillore do t’u kthehen bankave shkollore pas një mungese të gjatë shkaku i pandemisë. Autoritetet përgjegjëse për shkollat në komunën e Tetovës thonë se të gjithë të punësuarit duhet të jenë të vaksinuar, ose të kenë test negativ jo më të vjetur se 72 orë.
 
VISAR SADIKI