Maqedoni
Kuvendi u rikthehet punimeve, Xhaferi koordinon punimet me grupet parlamentare
30.08.2021 17:04
Përfundoi pushimi kolektiv i deputetëve. Kuvendi republikan iu rikthye sesionit të radhës të punimeve...

Në ditën e parë të punës, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, mbajti koordinimin e rregullt me koordinatorët e grupeve parlamentare, në përbërje të plotë.
Në takim është rënë dakord që këtë javë, respektivisht më 1 shtator, të vazhdojnë me seancat e mbetura, të papërfunduara, ndërsa seancën plenare të re të radhës, kryetari Xhaferi do ta caktojë për më 14 shtator.
Ditën e mërkurë plenumi do të vazhdojë seancën e 45-të, të hapur që më 30 qershor, ku në rend dite janë pr/Ligji për ndërmjetësim, Ligji për Shoqëri Tregtare, Ligji për Ambijentin dhe disa kërkesa për interpretim autentik të ligjeve përkatëse dhe disa raporte vjetore të institucioneve.
Të mërkurën do të mblidhen edhe Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive dhe Komisioni për çështje ekonomike.
Punimet e Kuvendit në këto dy muaj pritet të jenë nën hijen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, si dhe nën hijen e procesit të regjistrimit, i cili do të zhvillohet gjatë muajit shtator. Në këtë periudhë është e pritshme që punimet të jenë të reduktuara për të evituar keqpërdorimin e foltores së Kuvendit për fushatë zgjedhore.
Gjithsesi, në koordinim, kryetari Xhaferi ka ftuar deputetët dhe administratën që të respektojnë protokollet shëndetësore që të mbrohet shëndeti i deputetëve, të punësuarve dhe familjeve të tyre.
SHPËTIM NUREDINI
