Maqedoni

"Forumi evropian ALPBAH", Zaev: Integrimi në BE, pa alternativë

30.08.2021 17:27

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE është perspektivë e vendit dhe nuk ka alternativë tjetër edhe përkundër...

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE është perspektivë e vendit dhe nuk ka alternativë tjetër edhe përkundër dëshpërimit për bllokimin e procesit eurointegrues nga ana e Bullgarisë. Kështu është shprehur kryeministri, Zoran Zaev, në video-konferencën “Perspektivat e Maqedonisë së Veriut”.
 
Siç njoftojnë nga shërbimi qeveritar, auditoriumit evropian  Zaev i ka  përcjellë mesazhin se për meritën e integrimit të vendit në BE flet dëshmia e vendimit të  KE-së në mars të vitit 2020, për fillimin e bisedimeve.
 
“BE-ja ka detyrim moral ndaj Maqedonisë së Veriut. Të gjitha reformat në vend u zbatuan ose janë duke u zbatuar, me fqinjët i zgjidhëm çështjet që ishin të hapura pas disa dekadave, siç ishte Marrëveshja e Prespës me Greqinë, ose Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë dhe Miqësi me Bullgarinë. Maqedonia e Veriut është model i suksesshëm i një bashkësie funksionale multietnike dhe një udhëheqës i bashkëpunimit rajonal, ndërsa me anëtarësimin në NATO u bëmë një faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.",- ka thënë kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev është shprehur optimist se fillimi i bisedimeve me BE-në duhet të bëhet realitet sapo Bullgaria të formojë një qeveri politike funksionale, duke shpresuar se në Samitin për Ballkanin Perëndimor në Lubjanë më 6 tetor, do të ketë një lëvizje serioze drejt zgjerimit të bllokuar të BE -së. Tri temat kryesore në debat ishin:  “Sigurimi i ardhmërisë së Evropës”, “Financimi i ardhmërisë së Evropës” dhe “Ndryshimet klimatike”.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU