Maqedoni

Viti i ri shkollor, Carovska: Shkollat të gatshme për mësim me prani fizike

30.08.2021 17:48

Përveç në shkollat e mesme në Tetovë dhe Gostivar, në të gjitha shkollat tjera fillore...

Përveç në shkollat e mesme në Tetovë dhe Gostivar, në të gjitha shkollat tjera fillore dhe të mesme të vendit mësimi do të nis me prani fizike, njoftoi ministrja e arsimit, Mila Carovska, e cila realizoi takim me drejtorët e shkollave të mesme.
 
“Me shkollat fillore takimet i kemi përfunduar të mërkurën, të enjten dhe të premten. Sot bisedojmë me të gjitha shkollat e mesme lidhur me fillimin e vitit shkollor, por në lidhje me ndryshimin e modelit, nuk ka një diskutim të tillë. Nga shtabi koordinues lokal në Tetovë u kërkua që për dy javë mësimi të zhvillohet online dhe Komisioni për Sëmundjet Infektive vendosi se mund të mësojnë online edhe atë që të mos ketë mbingarkesë në spitale, pra jo për shkak të parametrave të tjera.”,- deklaroi ministrja e arsimit, Mila Carovska.
 
Nebiu: Prindërit kanë frikë t’i sjellin nxënësit në shkollë
 
Shumë prindër kanë frikë t’i sjellin fëmijët e tyre në shkollë me prezencë fizike, shkaku i situatës alarmante nga COVID-19.
 
“Kemi prindër të shqetësuar, një pjesë duan të fillohet mësimi me prezencë fizike, ndërsa një pjesë frikësohen nga virusi dhe dëshirojnë të vazhdohet mësimi nga distancë deri kur të qetësohet situata me pandeminë.”,- tha drejtori i Shkollës Profesionale “Maria Kiri”, Blerim Nebiu.
 
Ministria e Arsimit ka thënë se nëse gjendja epidemiologjike në vend apo në komuna të caktuara përkeqësohet, ky institucion ka përgatitur edhe dy alternativa të tjera për zhvillimin e procesit mësimor, atë të mësimit të kombinuar dhe online.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU