Botë
Shqipëri, vaksinimi i detyruar dhe masa të reja
30.08.2021 18:30
Ora e re policore dhe tre kushtet për të hyrë në kufirin shqiptar janë masat e reja shtrënguese...

Ora e re policore dhe tre kushtet për të hyrë në kufirin shqiptar janë masat e reja shtrënguese që komiteti i ekspertëve mori ditën e sotme, pas përkeqësimit të situatës epidemiologjike në Shqipëri. Gjithashtu, Komiteti Teknik i ekspertëve ka vendosur vaksinimin e detyruar për tre kategori.
Ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, sqaroi se qëllimi i këtij vendimi nuk është pezullimi nga puna, por nxitja drejt vaksinimit.
Rritja e infektimeve është reflektuar edhe tek fëmijët, ku momentalisht në pavionin infektiv të pediatrisë në QSUT po trajtohen 8 fëmijë.
Vala e re e pandemisë erdhi më herët se kur ishte menduar nga ekspertët, ndaj dhe këta të fundit vijojnë me apelimin për vaksinimin, pasi redukton rastet e rënda dhe fatalitetet.
LULJETA NDOKA
