Botë
Pandemia është larg përfundimit, zbulohet variant i ri i virusit Korona
31.08.2021 10:59
Variantet e reja të virusit korona, po e bëjnë të vështirë përfundimin e pandemisë....

Variantet e reja të virusit korona, po e bëjnë të vështirë përfundimin e pandemisë. Mutacioni Delta është aktualisht ai që shqetëson më shumë, por situata mund të ndryshojë shumë shpejt.
Shkencëtarët e Afrikës së Jugut kanë zbuluar një lloj të ri koronavirusi me mutacione të shumta, edhe pse nuk e kanë vërtetuar ende nëse është më ngjitës sesa variantet aktuale ose më i aftë për të kapërcyer imunitetin natyral apo atë të siguruar nga vaksinat. I njohur si C.1.2., u zbulua për herë të parë në maj. Hulumtimi ka treguar se është përhapur në shumicën e provincave të Afrikës së Jugut, përveç shtatë vendeve të tjera në Afrikë, Evropë, Azi dhe Oqeani.
Shkencëtarët nuk janë ende të sigurt për sjelljen e tij, por ai përmban shumë mutacione të lidhura në variante të tjera me transmetueshmëri të shtuar dhe ndjeshmëri të zvogëluar ndaj antitrupave neutralizues. Në territorin e Afrikës së Jugut, C.1.2 përfaqësonte 3% të mostrave në korrik, krahasuar me 1% në qershor, ndërsa Delta përfaqësonte 67% në qershor dhe 89% në korrik.Gjithsesi, mjekët apelojnë që njerëzit të mos alarmohen, pasi llojet e ndryshme pritej të shfaqeshin.
