Maqedoni
Carovska: Gjithçka gati për mësim me prezencë fizike
31.08.2021 13:32
Të gjitha shkollat janë të përgatitura për fillimin e vitit të ri shkollor me prezencë fizike, thotë ministrja e Arsimit, Milla Carovska....

Të gjitha shkollat janë të përgatitura për fillimin e vitit të ri shkollor me prezencë fizike, thotë ministrja e Arsimit, Milla Carovska. Ajo njëherit ka shtuar se mësimi me prezencë fizike në kohë pandemie është sfidë, por ajo beson se mund t’ia dalim.
“Shkollat janë të përgatitura për të gjithë skenarët për mësim që duhet realizuar në vitin shkollor 2021-2022. Vendimi ynë për të filluam me prezencë fizike, i qeverisë me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive, është në interes të fëmijëve. Mësimi me prezencë fizike nuk ka zëvendësim, jo vetëm për shkak të procesit të mësimit, por edhe për shkak të procesit të socializimit dhe mbrojtjen e shëndetit mendor të fëmijëve tanë. Ne jemi prind dhe të gjithë jemi dëshmitarë se fëmijët tanë mësuan vitin e kaluar shkollor, por ishim dëshmitarë se ju munguan shokët dhe mësuesit dhe pikërisht atë gëzim e kthejmë në sytë e fëmijëve. Por, e kthejmë edhe gëzimin e arsimtarëve, sepse ata nuk janë të plotësuar nëse nuk janë në klasë me nxënësit e tyre.”,- deklaroi Milla Carovska nga MASh.
Filipçe: Mësim online vetëm në Tetovë dhe Gostivar
Mësimi në pjesën më të madhe të shkollave fillore dhe të mesme të vendit do të fillojë me prezencë fizike, përveç në komunat e Pollogut, ku me kërkesë të shtabeve të krizës për shkak të numrit të madh të infektimeve me Kovid-19 në shkollat e mesme në Tetovë dhe Gostivar, u vendos që mësimi të fillojë online. Komisioni për Sëmundje Infektive ka refuzuar kërkesën e autoriteteve lokale në Strugë dhe Kërçovë për mësim online. Këtë e ka konfirmuar ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, sipas të cilit mësim online do të ketë vetëm për nxënësit e shkollave të mesme në Gostivar dhe Tetovë.
“Përjashtime në bazë të ngarkesës së kapaciteteve spitalore nëpër qytete janë shkollat e mesme në Tetovë dhe Gostivar të cilat do të fillojnë mësimin online, fillimisht për një periudhë trejavore e më pas varësisht nga gjendja.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Mësimi duhet të vazhdojë edhe në kohë pandemie, vlerësojnë autoritetet, duke kërkuar që në të gjitha shkollat të respektohen maksimalisht protokollet shëndetësore.
GYLTENE SINANI
