Maqedoni
Osmani dhe Dendias: Marrëveshja e Prespës po implementohet
31.08.2021 14:51
Marrëveshja e Prespës është implementuar mjaftueshëm, por ka edhe disa gjëra që duhet të jetësohen...
Marrëveshja e Prespës është implementuar mjaftueshëm, por ka edhe disa gjëra që duhet të jetësohen, por që varen nga faktorë të ndryshëm dhe janë më komplekse, konstatuan në Shkup ministri i jashtëm, Bujar Osmani, dhe homologu i tij grek, Nikos Dendias.
“Konstatova se jam i kënaqur me dinamikën e implementimit. Kanë mbetur edhe çështje të tjera të cilat duhet të diskutohen dhe janë në një periudhë, por ajo që është me rëndësi se vullneti politik ekziston, trupat konkretë janë në aktivitet të plotë dhe janë shumë optimistë për të ardhmen e raporteve tona për këtë partneritet strategjik mes RMV-së dhe Greqisë.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Takimin e tij në Shkup ministri grek Dendias e quajti tregues të qeverisë Micotaksis për thellimin e raporteve bilaterale. Shprehu falënderim për ndryshimet e emrave të rrugëve, objekteve nga ana e shtetit tonë, por shtoi se për t’u bërë e plotë Marrëveshja e Prespës kërkohet ndryshim i çdo letre dhe shkronje.
“Dua të pranoj kënaqësitë e mia për hapat e juaja për tërheqjen e tabelës sot, pikërisht jashtë ndërtesës ku ndodhemi. Një tabelë që është vendosur në një kohë tjetër, pra për mbretin Filipi i dytë, babanë e Aleksandrit të Madh dhe jemi dakorduar bashkë se të parët tuaj nuk kanë qenë pjesë e siujdhesës ballkanike në atë periudhë dhe nuk kanë mundësi të besojnë udhëheqësinë e Aleksandrit të Madh. Lidhur me ndërrimin e emrit të muzeut arkeologjik dhe të tabelave në pikat kufitare, dua të them se implementimi i Marrëveshjes së Prespës nuk është çështje burokratike. Duhet të implementohet çdo letër, çdo shkronjë.”,- deklaroi ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias.
Ndërkohë, ministri Osmani sqaroi se sipas ministrit grek, Dendias, në Greqi autoritetet lokale janë më neglizhente në çështjet që janë kompetenca komunale të dala nga Marrëveshja e Prespës. Osmani njëherit ka siguruar nga ministri Dendias përkrahjen e plotë greke në rrugën eurointegruese të vendit, duke e quajtur shtet më lobues në BE për vazhdimin e zgjerimit. Dendias është takuar edhe me krerët dhe funksionarët tjerë shtetërorë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
