Maqedoni

Kryqëzimi në Veri të Shkupit, Bytiqi: Mjetet janë siguruar nga rebalanci i buxhetit

31.08.2021 15:16

Zyrtarët qeveritarë vazhdojnë me promovimin e projekteve infrastrukturore edhe përkundër shpalljes së zgjedhjeve lokale.....

Zyrtarët qeveritarë vazhdojnë me promovimin e projekteve infrastrukturore edhe përkundër shpalljes së zgjedhjeve lokale. Edhe pse neni 8 i Kodit Zgjedhor, në pikën 2 të tij, mes të tjerave sqaron qartë se që nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, ndalohet: fillimi i ndërtimit me fonde nga buxheti, fonde publike, fonde të ndërmarrjeve publike ose personave juridikë që kanë kapital shtetëror, për objekte infrastrukturore e shoqërore si në rrugë, ujësjellës, linja transmetimi, kanalizime, fusha sportive, shkolla, kopshte etj, përveç nëse më parë për këtë janë parashikuar fonde nga buxheti. Pikërisht kjo fjalia e fundit keqpërdoret në çdo cikël zgjedhor, pasi autoritetet përcaktojnë fondet para fillimit të zgjedhjeve duke e lënë realizimin e projekteve pikërisht pas shpalljes së zgjedhjeve.
 
Promovimi i projektit për ndërtimit e nyjës midis bulevardit “Sllovenia” dhe Rrugës së Kaçanikut, gjegjësisht bulevardit “Nikolla Karev”, bëri bashkë zëvendëskryeministrin Grubi, kreun e qytetit të Shkupit Shilegov dhe zëvendëskryeministrin për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqin. Ky i fundit tha se bëhet fjalë për projekt mjetet e të cilit janë siguruar nga rebalanci i buxhetit muaj më parë.
 
“Infrastruktura e mirë do të thotë lidhje e mirë, e lidhja e mirë bashkëpunim, kurse bashkëpunimi zhvillim. Vlera e projektit që jemi këtu është mbi 550 milionë denarë, për fazën e parë janë siguruar 2 milionë nga qeveria e RMV në rebalancin e buxhetit për realizimin e investimeve kapitale.”,- tha zëvendëskryeministri, Fatmir Bytiqi.
 
Përmes projektit në fjalë pritet të lehtësohet trafiku për hyrje dhe dalje nga pjesët veriore të qytetit të Shkupit, ndërsa gjithashtu do të ndihmoj edhe në lidhjen më të mirë mes komunave Karposh, Butel, Çair por edhe për të mundësuar kushte më të mira për biznesin që vepron në zonën industriale të Vizbegut.
 
ZEKIRJA MEXHITI