Botë

ShBA përfundon tërheqjen, talebanët festojnë me fishekzjarre në Kabul

31.08.2021 15:41

Gjeneral majori Chris Donahue është ushtari i fundit amerikan që u largua nga Kabuli..

Gjeneral majori Chris Donahue është ushtari i fundit amerikan që u largua nga Kabuli, duke shënuar kështu edhe zyrtarisht fundin e pranisë amerikane në Afganistan, gati 20 vjet pas hyrjes së tyre atje, menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit të 2001. Tani të gjithë diplomatët amerikanë janë larguar nga Kabuli dhe Shtetet e Bashkuara kanë pezulluan praninë diplomatike në Afganistan duke zhvendosur misionin në Doha të Katarit, ku talibanët e kanë një zyrë politike.
 
“Çdo hap që bëjmë do të bazohet jo në atë që thotë qeveria e udhëhequr nga talebanët, por në atë që bën për të përmbushur angazhimet e saj. Talibanët kërkojnë legjitimitet dhe mbështetje ndërkombëtare. Mesazhet tona janë se çdo legjitimitet dhe çdo mbështetje , do të duhet të fitohet.”,- deklaroi sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.
 
Largimi i amerikanëve, u festua me fishekzjarrë. Udhëheqësit talebanë parakaluan  në mënyrë simbolike pistën e Aeroportit, duke sinjalizuar kështu fitoren e tyre. Talibanët, që kërkojnë njohje ndërkombëtare, u kanë kërkuar të gjitha misioneve të huaja diplomatike të qëndrojnë. Por shumica e vendeve kanë mbyllur ambasadat.
 
“Duke përfaqësuar popullin e Afganistanit, Emirati Islamik i Afganistanit dëshiron të krijojë marrëdhënie pozitive, të forta dhe të qëndrueshme diplomatike me botën, përfshirë SHBA-në. Ne duam të zbusim marrëdhëniet tona me SHBA-në në të ardhmen.”,- tha zëdhënësi i talebanëve, Zambiola Mujahideen.
 
Tani të gjithë sytë janë drejt  mënyrës se si talebanët do ta përdorin  autoritetin e vetëm mbi vendin, me fokus të veçantë  nëse do të lejojnë largimin e atyre që duan të ikin. E ata që duan të ikin janë me mijëra, por ditët e fundit, jo të gjithë janë lejuar t’i afrohen aeroportit. Gjermania po kërkon mënyra për evakuimin e qytetarëve të saj. Ministri i Jashtëm, Maas, po viziton  fqinjët e Afganistanit,  Uzbekistanin, Pakistanin, Katarin dhe Turqinë për të negociuar planet e daljes për stafin lokal në Afganistan dhe grupet e tjera të cenueshme, siç janë aktivistët e të drejtave të njeriut.
 
Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë të hënën, duke kërkuar që talebanët të respektojnë angazhimin për t'i lënë njerëzit të largohen nga Afganistani dhe për t'i dhënë qasje OKB-së dhe agjencive të tjera të ndihmës. Ende nuk dihet aktualisht kush do ta drejtojë aeroportin e Kabulit. Talibanët i kanë kërkuar Turqisë që të merret me logjistikën derisa ata mbajnë kontrollin e sigurisë, por kjo ofertë ende nuk është pranuar. Nuk është ende e qartë se cilat linja ajrore do të pranonin të fluturonin drejt dhe jashtë  Kabulit, sidomos pas sulmeve të ditëve të fundit të ISIS-it dhe kërcënimeve për sulme të reja.
 
MIGENA GORENCA