Maqedoni

Strugë, rritet numri i rasteve të reja me Covid 19

31.08.2021 17:32

Situata me pandeminë e Covid-19 në Strugë është përkeqësuar me rritjen e rasteve të reja dhe të shtruarve në spital...

Momentalisht në spitalin modular ka 27 pacientë, prej të cilëve 24 janë në ndihmë të oksigjenit, ndërsa është vënë sërish në funksion reparti intern, që shërben si Covid 2, ku ka të shtruar 12 pacientë, por që janë me pamje më të lehtë klinike.
 
Nga spitali i Strugës thonë se janë vënë të gjitha resurset në funksion, për momentin situata është nën kontroll dhe në spital ende ka vende të lira. 
 
“Për momentin i gjithë kapaciteti ynë është vënë në shërbim, ne kemi një menaxhim të mirë, për momentin nuk kemi probleme, jemi të përgatitur edhe për skenarë tjerë, duke i shtirë të gjithë kapacitetet tona në shfrytëzim të situatës, vende dhe hapësirë kemi për të hospitalizuar pacientët.”,- tha drejtori i spitalit të Strugës, Armend Arsllani.
 
Komuna e Strugës kërkon prolongim të fillimit të vitit shkollor
 
Për shkak të situatës, nga komuna e Strugës kanë kërkuar që viti shkollor të mos fillojë më 1 shtator, por të shtyhet për 20 shtator, sepse situata është më kritike se vitin e kaluar. Ata thonë se pas mësuesit nuk janë të përgatitur as për të filluar me mësim online. 
 
"Të gjithë këto së bashku me drejtorët e shkollave të mesme dhe fillore në Strugë vendosën që të bëjnë kërkesë deri te qeveria, që mësimi të prolongohet, që të mos fillojë më 1 shtator por të fillojë më 20 shtator, duke e parë që situata nuk është siç duhet dhe sipas drejtorëve të shkollave duhet të prolongohet sepse ata nuk janë të gatshëm që të fillojnë mësimin as më 1 shtator online, siç ishte propozuar prej disa drejtorëve.“,- zëdhënëse e komunës së Strugës Besa Ziba.
 
Momentalisht në Strugë ka 518 raste aktive. Në spitalin e Strugës gjatë ditës bëhen nga 100 deri në 120 teste, prej të cilëve çdo i katërt ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
 
ILMIE ZHAKU