Maqedoni
ESSh: Gjithçka gati që të nisë regjistrimi
31.08.2021 17:53
Kur kanë mbetur vetëm edhe katër ditë deri tek fillimi zyrtar i procesit të regjistrimit të popullsisë...

Kur kanë mbetur vetëm edhe katër ditë deri tek fillimi zyrtar i procesit të regjistrimit të popullsisë dhe amvisërive në vend, po bëhen edhe përgatitjet finale për fillimin e të njëjtit. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave regjistruesit janë siguruar, ndërsa sa i përket gjendjes shëndetësore, janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të qenë një proces i sigurt.
Por, nga Komisionet Komunale pranojnë se ka mungesë të regjistruesve dhe se një numër i tyre janë larguar pasi kanë kaluar testimin dhe këto probleme po hasen sidomos në Tetovë, Ohër, Kërçovë dhe në disa vende tjera.
“Komisioni Rajonal në komunën e Kërçovës për regjistrimin i ka barrë të gjitha përgatitjet për fillimin dhe mbarëvajtjen e regjistrimit në terren. Pas kësaj Komisioni ka vepruar në bazë të rekomandimeve të ESHS-së dhe në bazë të konkursit të shpallur nga Enti kemi bërë edhe përzgjedhjen e regjistruesve rajonal të cilët do të jenë të angazhuar në qytetin e Kërçovës. Në këtë qytet kemi 219 rrethe regjistruese ku mendojmë se mund t’i mbulojmë me regjistruesit të cilët i kemi, nuk është numri i mjaftueshëm i regjistruesve por mendoj se me angazhimin e tyre në fund do të kemi rezultate të duhura.”,- deklaroi kryetari i Komisionit në Kërçovë, Emin Nasufi.
“Ne si Komision Komunal regjistrues me numër 32 që përfshin komunën e Tetovës dhe të Bogovinës, si Komision Komunal duhet të kemi 242 regjistrues nga të cilët 182 duhet të jetë shqiptarë, 49 maqedonas, 6 turq dhe 5 romë. Deri më tani janë plotësuar vetëm tek pjesa maqedonase, ndërsa sa i përket numrit të regjistruesve shqiptarë kemi ende mungesë të regjistruesve, jemi në komunikim të përhershëm me ESHS-së dhe presim instruksione se si do të veprojmë me këtë mungesë që kemi ne si Komision Komunal i Tetovës. Kemi gjithsej 381 rrethe regjistruese.”,- tha kryetari i Komisionit në Tetovë, Nazmi Dauti.
Sipas informatave të para nga ESHS, numri i zbrazët i regjistruesve do të plotësohet nga administrata, ndërsa aty ku nuk mund të plotësohen, do të rriten bonuset për regjistruesit aktual.
FITIM KRYEZIU
