Maqedoni
Kumanovë, interesim i shtuar për t’u vaksinuar
31.08.2021 18:14
Pas rritjes drastike të shifrave të të infektuarve me Kovid-19, por për fat të keq edhe numrit i atyre...

Pas rritjes drastike të shifrave të të infektuarve me Kovid-19, por për fat të keq edhe numrit i atyre që humbën betejën me virusin Korona, në Kumanovë është rritur dukshëm interesimi i qytetarëve për imunizim kolektiv.
Derisa para disa javësh ekzistonte hamendja për vaksinim, ditëve të fundit kërkesat janë gjithnjë e më të theksuara për vaksinim sa më të shpejtë.
“Procesi i vaksinimit po rrjedhë sipas dinamikës së paraparë, me vendimin e ri të MSH dhe KSI. Sa u përket masave mbrojtëse, shohim se ka interes të rritur nga ana e qytetarëve për t’u vaksinuar. Deri tani kemi arritur shifrat mbi 41.000 qytetarë, momentalisht aplikojmë vaksinat “Sinovac” dhe “Astra Zeneca”, vlen të thuhet se në kuadër të procesit të vaksinimit jemi duke kryer rregullisht vizita në shtëpi me qëllim vaksinimin e personave të palëvizshëm.”,- tha koordinatori në pikën e vaksinimit – Kumanovë, Valdrin Miftari.
Valdrin Miftari na informoi se si pikë-vaksinimi gjatë kësaj jave do të vaksinohen të gjithë ata qytetarë të cilët janë të angazhuar në procesin e regjistrimit të popullsisë, ai gjithashtu bëri apel për vaksinim sa më masiv.
“Dje nga ana e MSH pranuam edhe 10.000 doza të vaksinave, kështu që vazhdojmë me apele deri tek qytetarët që të vizitojnë pikën tonë të vaksinimit, të vaksinohen me qëllim që të kalojmë pandeminë sa më shpejtë dhe se mënyra e vetme për të kaluar pandeminë është vaksinimi, armë tjetër momentalisht nuk ka përpos vaksinës.”,- tha për TVM2, Miftari.
Aktualisht në Kumanovë janë mbi 900 raste aktive me Kovid-19, kurse nga fillimi i pandemisë, betejën nga virusi Korona e kanë humbur 389 qytetarë.
FATLUMI AQIFI
