Maqedoni
Shkup, arritën 149 refugjatë afganë
31.08.2021 18:33
149 shtetas afganë kaluan natën e parë në RMV...

Grupi i parë i afganëve që mbrëmë arriti nga Gjeorgjia në Aeroportin e Shkupit është akomoduar në hotelin periferik “Bellvi” në Shkup.
Bëhet fjalë për burra, gra dhe rreth 55 fëmijë nën moshën 18 vjeç, persona të cilët kanë punuar në organizatat ndërkombëtare paqeruajtëse në Afganistan, identitetet e të cilëve kanë kaluar kontrollet e sigurisë.
Pas akomodimit, atyre u është ofruar ndihmë dhe mbrojte e plotë shëndetësore. U është bërë tanponi për Sars Cov2 dhe ata që do të rezultojnë pozitiv do të karantinohen në hapësira tjera për 14 ditë, ndërsa ata që do të shprehin dëshirë për vaksinën anti-Covid edhe do të vaksinohen. Tani për tani nuk është e lejuar xhirimi i refugjatëve në Shkup, informojnë nga Qeveria, por Kryqi i Kuq është pranë tyre.
“Pas akomodimit të tyre ne kemi shpërndarë mjetet e dezinfektimit, maskat mbrojtëse, si dhe fletushka me informacione në lidhje me masat anti-Covid që janë në fuqi tek ne. Po ashtu kemi formuar edhe një kënd për fëmijë ku aty do të ketë kompjuterë ku refugjatët do të mund të realizojnë kontakte me të afërmit e tyre dhe të realizojnë planet për destinacionin e tyre të fundit për migrim. Po ashtu sot u kemi bërë edhe tanponin PCR dhe jemi në pritje të rezultateve të tyre.”,- tha Suzana Tuneva nga Kryqi i Kuq.
Organizata Ndërkombëtare ku kanë punuar afganët mbulojnë shpenzimet dhe kujdesën për qëndrimin e tyre në Shkup. Por, pavarësisht kësaj, Qeveria është e gatshme të ndërhyjë nëse paraqitet nevoja. Ajo që shqetësojnë vendet e rajonit është frika nga fluksi i ri i emigrantëve që mund të vërshojnë kufijtë e tyre.
“Po, me ministrin grek biseduam edhe për krizën e mundshme të refugjatëve ilegalë në Ballkan. E informova atë për strehimin e përkohshëm të grave dhe fëmijëve afganë tek ne dhe njëherit biseduam edhe për krizën eventuale humanitare që mund të shkaktohet si pasojë e kolapsit politik ose ekonomik në Afganistan.”,- tha ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Sipas gatishmërisë së shprehur, vendi ynë do të strehojë përkohësisht diku rreth 750 shtetas afganë, persona të cilët kanë punuar në organizatat ndërkombëtare dhe që do të kalojnë kontrollet e sigurisë.
REXHEP QAMILI
