Maqedoni
Kërçovë, Bajrami: Nga varianti “Delta” vdesin shumë të rinj
31.08.2021 18:52
Gjendja në spitalin e Kërçovës është alarmante, sepse është i stërmbushur me pacientë...

Gjendja në spitalin e Kërçovës është alarmante, sepse është i stërmbushur me pacientë dhe nuk ka as shtretër të lirë për trajtimin e pacientëve. Numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë sa vjen e rritet.
Sipas drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit Publik, pasqyra e pacientëve të infektuar me variantin "Delta" është e rëndë dhe çdo ditë transferohen nga 5-6 pacientë në spitalet e Shkupit. 90% e pacientëve me pasqyrë të rëndë klinike janë të pavaksinuar dhe vetëm 10% e tyre janë të vaksinuar.
“Numri i të infektuarve me Covid-19 - varianti "Delta" sa vjen e rritet dhe deri tani pothuajse të gjithë ata që kanë qenë të pavaksinuar janë të sëmurë, kanë qenë të sëmurë ose janë duke e kaluar variantin "Delta". Dua të bëj një shpjegim për qytetarët e Kërçovës dhe qytetarët e Maqedonisë në përgjithësi, numri i të shtruarve në spitalin tonë dhe në spitalet tjera të Shkupit që kemi dërguar ne pacientë, gati çdo ditë ne dërgojmë nga 5-6 pacientë, të gjithë të pavaksinuarit, variantin "Delta" e kanë kaluar në gjendje tepër të rëndë shëndetësore. Do të bëj një krahasim midis të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve, është diku 90 me 10, pra 90% janë të pavaksinuar dhe e kalojnë në gjendje të rëndë shëndetësore, 10% janë të vaksinuar dhe e kalojnë në gjendje të lehtë apo mesatare shëndetësore.”,- deklaroi drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Publik – Kërçovë, Xhabir Bajrami.
Bajrami iu bën apel qytetarëve të Kërçovës që urgjentisht të vaksinohen dhe t’i lënë anash teoritë e konspiracionit, sepse situata është alarmante. Gjithashtu ai iu bën thirrje edhe të rinjve, sepse variant "Delta" është shumë më infektues edhe për moshat e reja nga 18 deri në 30 vjeç.
Ai bën thirrje edhe për higjienë personale dhe mbajtje të distancës, sepse varianti "Delta" ka prekur edhe foshnjat e porsalindura në Kërçovë, njofton Xhabir Osmani - drejtor i Shëndetit Publik në Kërçovë. Çdo ditë në Kërçovë humbin jetën të rinj prej moshës 20 deri në 30 vjeç. Ditë më parë humbi jetën një infermiere 28 vjeçare pa asnjë sëmundje tjetër kronike.
FARIJE DAUTI BAKIJU
