Maqedoni
Nisi viti i ri shkollor, shkollat hapën dyert, me maska e dezinfektues
01.09.2021 13:00
Pas 18 muajsh, ra më në fund zilja e parë që shënoi fillimin me prani fizike të vitit shkollor për të gjitha shkollat fillore në vend....

Pas 18 muajsh, ra më në fund zilja e parë që shënoi fillimin me prani fizike të vitit shkollor për të gjitha shkollat fillore në vend. Mësimi nisi me matje të temperaturës për çdo nxënës, mbajtje të distancës, mbajtje të detyrueshme të maskave dhe dezinfektim të duarve. Fëmijët e pritën me padurim kthimin fizik në shkolla, sidomos ata që ulen në banka për herë të parë.
“Unë jam shumë e gëzuar që jam në klasë të parë.”,- tha një nxënës.
“Unë në klasë të parë do t’i mësoj shkronjat.”,- theksoi një nxënës.
“Unë jam shumë i gëzuar që do të fillojë shkolla.”,- u shpreh një nxënës.
“Jemi gëzuar shumë, më ka marrë malli për shkollën për mësuesen për shokët.”,- tha një nxënës.
“Kemi filluar sot me shkollë, jemi gëzuar shumë dhe më ka marrë malli për të gjithë, për mësuesen për shokët.”,- theksoi një nxënës.
Shkollat i kanë bërë të gjitha përgatitjet për pritjen e nxënësve.
“Nuk kemi nxënës ose prindër që nuk duan me prezencë fizike, përkundrazi ata kanë dëshirë që të fillojnë mësimin me prezencë fizike.”,- deklaroi mësuesja në Sh. F. “Ademi Jashari”- Shkup, Hatije Limani.
“Kemi filluar me dy ndërrime paradite dhe pasdite. I kemi të gjitha mjetet dezinfektuese, aparate për matjen e temperaturës.”,- tha zëvendësdrejtori në Sh. F. “Bajram Shabani”- Kumanovë Zija Saiti.
“Jemi shumë të gëzuar sepse këtë vit filluam me prezencë fizike. Nxënësit ishin të gjithë me maska por edhe ne.”,- u shpreh mësuesja në Sh. F. “Bajram Shabani” – Kumanovë, Taibe Hajdari.
Edhe shkollat e mesme në vend, përveç atyre në 4 komuna, hapën dyert për nxënësit. Protokollet e njëjta mbrojtëse vlejnë edhe për ta.
“Mirë që është bërë me prezencë fizike dhe mund të takohemi me shokët dhe të mësojmë më mirë.”,- tha një nxënës.
“Është një ndjenjë shumë e mirë, jemi me prezencë fizike dhe jo online dhe ka shumë dallim në mësim.”,- theksoi një nxënës.
Shkollat kanë protokolle edhe për nxënësit e infektuar ose ata që për arsye mjekësore e jo mjekësore do të ndjekin mësimin online.
“Nëse hasim në nxënës që janë bartës të virusit apo nuk përmbushin kriteret që të zhvillojnë mësimin me prezencë fizike, atëherë për të njëjti nxënës, sado të jetë numri i tyre, mësimi do të zhvillohet paralel. Deri sa ne shpjegojmë në klasë përmes kamerës ata do të jenë online dhe do ta përcjellin mësimin.”,- tha profesori në Gjimnazin “Zef Lush Marku” – Shkup, Naser Miftari.
Mësimi me prani fizike u ndalua nga viti 2019, me nisjen e pandemisë. Vitin e kaluar, mësimi u mbajt vetëm online për nxënësit në shkollat fillore dhe të mesme, përveç nxënësve nga klasa e parë deri në të tretën. Këtë vit shkollor, Qeveria vendosi të hapë shkollat për të gjithë, përveç nxënësve të infektuar e atyre me sëmundje kronike, që do vazhdojnë të mësojnë online. Përjashtohen nga mësimi fizik edhe nxënësit që vërtetojnë mungesën për arsye jomjekësore, por për këtë vendos shkolla.
REJHANE BUSHI METAJ
