Maqedoni

Tetovë, shënohet viktima më e rë nga Covid 19

01.09.2021 16:15

Një vajzë 15 vjeçare nga fshati Sellcë i Tetovës ka ndërruar jetë prej komplikimeve të Kovid–19....

Një vajzë 15 vjeçare nga fshati Sellcë i Tetovës ka ndërruar jetë prej komplikimeve të Kovid–19. Nga Ministria e Shëndetësisë informuan se pacientja ka ndërruar jetë në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, ndërsa paraprakisht kishte ndërruar jetë edhe nëna e saj. 

“Për pacienten e cila nuk ishte e vaksinuar, nuk kemi shumë detaje, por sipas babait të vajzës ajo ka pasur disa sëmundje të tjera kronike. Bëhet fjalë për një vajzë me mbipeshë-paciente me obezitet serioz, e cila në vete mbart një rrezik serioz të komplikuar dhe të rëndë. Për fat të keq ditë më parë humbi jetën edhe nëna e viktimës e cila u transferua në Shkup.”,- tha drejtoresha e spitalit të Tetovës.
 
Humbje jete nga Covid-19, RMV e para në Evropë dhe e gjashta në botë
 
Maqedonia e Veriut është në krye të listës së vendeve evropiane me shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga Covid-19, sipas një studimi për gjysmën e parë të 2021. Përkatësisht, përqindja e vdekshmërisë së tepërt në Maqedoni e Veriut është 49%. Në nivel botëror, vendi ynë është radhitur i gjashti në listë, pas Perusë, Ekuadorit, Bolivisë, Meksikës dhe Kolumbisë. Ministria e Shëndetësisë njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë vaksinuar 13.037 qytetarë.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU