Maqedoni

Kërçovë, gjimnazistët nisën shkollën me mësim online

01.09.2021 17:07

Në shtatë ditët e para të vitit shkollor, mësimi në shkollat e mesme në Kërçovë...

Në shtatë ditët e para të vitit shkollor, mësimi në shkollat e mesme në Kërçovë do të mbahet online, pas kësaj do të duhet të merret një vendim i ri në përputhje me situatën e krijuar nga  KOVID-19. Edhe pse shkollat kërkuan mësim online në dy javët e para, kërkesa e tyre është pranuar vetëm pjesërisht.
 
“Ky fillim viti është online në bazë të kërkesës tonë që bëmë deri tek MASh, duke e pasur parasysh gjendjen me të cilën përballet qyteti i Kërçovës dhe spitalet e stërmbushura me Covid-19. Pas një jave pritet të shihet dhe të shqyrtohet gjendja se si do të jetë dhe a do të vazhdojmë me mësim online deri në fund të muajit shtator apo do të vazhdojmë me prezencë fizike.”,- tha drejtori i Gjimnazit “Drita” –Kërçovë, Festim Ahmedi.
 
“Të gjithë dëshiruam që të fillojmë mësim me prani fizike, pasi mësimi i tillë është e pazëvendësueshme. Atë e tregojnë të gjitha analizat dhe të gjithë pajtohemi, por ndonjëherë duhet të pajtohemi me vendime tjera të arsyeshme ashtu siç ishte ky vendim i qeverisë.”,- theksoi drejtoresha e Gjimnazit “Mirko Mileski” – Kërçovë, Millka Spasovska.
 
Kërçovë, Shkollat fillore hapën dyert me protokolle
 
Shkollat fillore, ndërkohë, hapën dyert për nxënësit me protokolle anti-Covid. 
 
“Nxënësit kur hyjnë në shkollë fillimisht iu matet temperatura, dezinfektohen duart, këpucën dhe hyjnë në objektin e shkollës. E njëjta situatë bëhet edhe  tek minibusi i cili i transporton nxënësit, fillimisht dezinfektohen duart, këpucët dhe u matet temperatura, e njëjta situatë iu përsëritet edhe tek shkolla.”,- u shpreh drejtori i shkollës fillore – Zajaz, Naser Ismaili.
 
Nëse në 7 ditët e ardhshme, situata epidemiologjike në Kërçovë stabilizohet, mund të merret vendim që edhe nxënësit e dy shkollave të mesme të Kërçovës të kthehen fizikisht në objektin e tyre të përbashkët.
 
GAZMEND KURTISHI