Maqedoni

Zgjerimi i BE-së, Sassoli: Ballkani nuk mund të presë me dekada

01.09.2021 17:45

Temë e Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, këtë vit, është e ardhmja e BE-së dhe Ballkanit...

Temë e Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, këtë vit, është e ardhmja e BE-së dhe Ballkanit. Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, tha se Bashkimi Evropian duhet që të rishikojë procesin e anëtarësimit në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, BE nuk duhet që të vonohet në procesin e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, pasi shtete të tjera mund të rrisin ndikimin në këtë rajon.
 
“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e historisë sonë dhe ne ndajmë me ta një identitet të përbashkët. Për këtë arsye ne duhet të jemi të gatshëm që të angazhohemi për procesin e anëtarësimit sepse ne duhet që ta rishikojmë këtë proces ne nuk mund të mbajmë shtetet dhe opinionin publik duke pritur me dekada. Ata duan që t’i bashkohen familjes sonë evropiane.”,- tha presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli.
 
Vuçiç kritikon BE-në: I premtuat RMV-së dhe Shqipërisë, asgjë s’morën
 
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte kritik sa i takon procesit të anëtarësimit. 
 
“Cila do të jetë e ardhmja për të gjithë ne? Shikoni Maqedoninë e Veriut, ata ndryshuan emrin e shtetit të tyre dhe iu premtua se do të hapeshin negociatat? Morën gjë? Jo, nuk morën asgjë. Sot është pengesë Bullgaria, nesër do të jetë dikush tjetër. Dhe pastaj i thonë Shqipërisë që nuk po i hapim negociatat se s’duam t’iu ndajmë nga Maqedonia e Veriut. I thonë dhe Serbisë që keni bërë progres, por mund të bëni dhe më mirë. Unë nuk po qaj për ndihmë, po them atë që është e vërtetë dhe prandaj ne po bëjmë më të mirën për t’u afruar me njëri-tjetrin, të mbajmë paqen në rajon, që jo gjithmonë është e lehtë.”,- u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
 
Me kritika edhe liderët e tjerë të Ballkanit perëndimor. Gjatë diskutimit në kuadër të forumit, presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, kritikoi ndërkohë vendet e BE-së të cilat sipas tij nuk ishin të gatshme të pranonin refugjatët afganë që ikën nga talibanët, njëjtë siç bënë disa shtete të treta, duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo kritikë nxiti reagimin e disa prej liderëve të vendeve të BE-së. Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, tha se vendimi i vitit 2015 për të pranuar refugjatë nga Siria i kishte shkaktuar më së shumti telashe shtetit të tij, Greqisë, e cila sipas Mitsotakis, ishte viktimë e dështimit të vetë politikave të Bashkimit Evropian. Forumi u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë që aktualisht është edhe kryesuese e radhës e Bashkimit Evropian.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI