Maqedoni
Kofod në Shkup: RMV meriton të nisë bisedimet, fokus reformat
01.09.2021 18:22
Danimarka vlerëson se RMV i ka plotësuar të gjitha kushtet për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE...

Danimarka vlerëson se RMV i ka plotësuar të gjitha kushtet për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE. Ministri i Punëve të Jashtme, Jepe Kofod, gjatë vizitës në Shkup, potencoi edhe një herë mbështetjen e Danimarkës në këtë drejtim dhe shpresën se problemi me Bullgarinë do të tejkalohet. Por, kërkoi fokus në reforma.
“Mendojmë se RMV meriton t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në BE dhe është e gatshme për një gjë të tillë dhe angazhimi ynë është në këtë drejtim. Unë besoj se bisedimet me Bullgarinë do të japin rezultat dhe do të tejkalohen dallimet, por ne si Danimarkë jemi të fokusuar në rrugën eurointegruese të vendit tuaj dhe po ashtu jemi shtytës të fuqishëm në atë se reformat të cilat afrojnë vendin tuaj drejt vlerave europiane duhet të vazhdojnë.”,- tha ministri i punëve të jashtme i Danimarkës, Jepe Kofod.
Osmani: Sofja ka probleme të tjera, por mbetem optimist
Nikoqiri i tij, Bujar Osmani, e sheh të vështirë që deri në tetor të gjendet ndonjë zgjidhje eventuale me Bullgarinë, edhe për shkak të konstituimit të Qeverisë në Sofje. Por, kjo, sipas Osmanit, nuk duhet të jetë pengesë që reformat të vazhdojnë dhe komunikimi me Sofjen zyrtare të jetë në nivel.
“Siç e dimë në Bullgari tanimë shkohet në raundin e tretë të zgjedhjeve edhe atë diku në fillim të muajin nëntor, edhe atë së bashku me zgjedhjet presidenciale, dhe kjo tregon nga përvoja e së kaluarës që zgjidhja në këtë kohë nuk do të jetë e lehtë, por ne duhet të punojmë jo vetëm me Bullgarinë por edhe me partnerët tanë të BE-së. Por unë jam optimist, dhe ky optimizëm po i mbanë gjallë shpresat e mija dhe të qytetarëve për një zgjidhje të shpejtë.”,- u shpreh ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Danimarka dhe RMV do të vazhdojnë të punojnë ngushtë edhe për sa i përket migrimit, përfshirë strehimin e afganëve që kanë punuar për Organizatat Ndërkombëtare dhe forcat e NATO-s. Kofod po ashtu premtoi donacion prej 1 milion vaksina për rajonin, ku 250 mijë do të dedikohen për RMV-në.
FITIM KRYEZIU
