Maqedoni
Figura poliedrike e profesor Xhevat Gegës, tribunë shkencore për kontributin e tij
01.09.2021 18:59
Në Institutin e Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve, u mbajt Tribuna Shkencore “Figura Poliedrike e profesor Xhevat Gegës”.....

Në Institutin e Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve, u mbajt Tribuna Shkencore “Figura Poliedrike e profesor Xhevat Gegës”. Me 40 vjet veprimtari arsimore dhe shkencore, 72 punime profesionale, dhjetëra tekste shkollore, rreth 35 libra të përkthyera, profesor Gega ia doli të ndërtojë profilin e një intelektuali largpamës dhe të një figure emblematike. Në këtë ngjarje te rëndësishme nuk munguan emra te shquar të letërsisë dhe gjuhës si profesor pedagogë e studiues.
“Tati ynë i vuri shkronjat shqip në abetaren e tij, në librat e shumtë didaktik si autor apo bashkautor për të gjitha ciklet e mësimit fillor e deri tek ai universitar e deri tek përmbledhja apo antologjia e parë e poezisë shqipe.”,- tha i biri i Xhevat Gegës, Arben Gega.
“Jorastësisht Instituti për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë e ka përzgjedhur që ditën e sotme, ditën e shenjtë për çdo familje, për çdo individ ta kemi trajtim veprimtarinë shkencore dhe jetësore e një udhëheqësi i cili unë me plot fjalë duke parë atë biografi të gjatë të tij e krahasoj me rilindasit tanë kombëtarë, sepse rilindasit tanë kombëtarë u desh të merren me gazetari, u desh të merren me shkollat, u desh të merren edhe me alfabetin dhe elementet shtet-ndërtuese të një kombi.”,- deklaroi drejtori i ITKSH-së, Skender Asani.
“Puna dhe kontributi që e ka bërë profesor Xhevat Gega me përkushtim qoftë si profesor qoftë edhe si autorë i shumë librave apo punimeve shkencore nga lëmia e albanologjisë i jep atij që të jetë një figurë shumë e madhe d.m.th. brenda studiuesve dhe veprimtarëve të cilët kanë pasur trevat tona.”,- theksoi drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Ligjit të Gjuhëve, Ylber Sela.
Xhevat Gega kishte bagazhin e nevojshëm profesional, përkushtimin ndaj punës gatishmërinë për të ndihmuar të tjerët, korrektësinë dhe energjinë pozitive. Personalitete të këtilla sigurisht se meritojnë përkujdesjen dhe organizimin e ngjarjeve të tilla ku kujtohet jeta, vepra dhe puna e tyre.
AIDA ZIBERI
