Reklamat e paguara politike, AShMAA hap debat publik, pret propozime nga palët
Teksa rrjedhin afatet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, vazhdon puna edhe e institucioneve përgjegjëse për mbarëvajtjen...

Teksa rrjedhin afatet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, vazhdon puna edhe e institucioneve përgjegjëse për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve. Këshilli i Agjencisë për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizive miratoi projekt udhëzimet për reklamat politike me pagesë për Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit.
Përmes këtyre udhëzimeve ASHMAA përcakton mënyrën e zbatimit të nenit 75-f paragrafët 1 dhe 2 të Kodit Zgjedhor për Zgjedhjet Lokale për anëtarët e këshillave komunalë dhe këshillin e Qytetit të Shkupit dhe për kryetarët e komunave dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit, në mënyrë që të sigurohen rregulla të sakta për kohëzgjatjen e lejuar të reklamave politike me pagesë që transmetohet në kohë reale në radio dhe televizione.
Agjencia informon se dëgjesa publike është e hapur deri më 16 shtator. Agjencia për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizive, fton të gjitha partitë e regjistruara politike, kandidatë të pavarur për kryetarë bashkish dhe për listë e këshilltarëve, transmetuesit dhe të gjitha palët e tjera të interesuara, që të marrin pjesë në debatin publik me opinionet dhe propozimet e tyre dhe t’i dorëzojnë ato me shkrim në mënyrë elektronike në adresën e [email protected].
Nga ASHMAA përkujtojnë se draft udhëzuesi për reklamat politike me pagesë për zgjedhjet lokale, është në dispozicion për të gjitha palët e interesuara, edhe në faqen e tyre të internetit.
GAZMEND REXHEPI
