Maqedoni

Carovska: Janë marrë masat që mësimi të rrjedhë pa pengesa

02.09.2021 14:52

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska, thotë se janë siguruar të gjitha mjetet e nevojshme...

Ministrja  e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska, thotë se janë siguruar të gjitha mjetet e nevojshme për të gjitha shkollat fillore dhe të mesme që mësimi të rrjedhë pa pengesa. Ajo njiherit përgënjeshtroi zërat për mungesë tabletash për konceptin e ri për nxënësit klasave të 4 si dhe mungesë të librave të historisë për nxënësit e klasës së gjashtë.

“Nxënësit kanë tablet dhe libra. Prindërit, mësimdhënësit dhe administratorët kanë për obligim t’i lëshojnë librat digjital në tabletët e deritanishëm që janë në shkolla, në fondin e bibliotekës për tablet. Informacioni është se po i lëshojnë nëpër grupe të viberit dhe në e-mail adresat direkt te prindërit.”,- deklaroi Mila Carovska nga MASh.

Duke mbrojtur konceptin e ri për mësim, Carovska tha se mësimi klasik nuk ka dhënë rezultate që dëshmohet me rezultatet e dobëta në testimet PISA.

“Mësimi nuk do të thotë libër, shumë është me rëndësi koncepti i ri të ndryshojë paradigmën për mësimin. Kjo është ideja e konceptit të ri për mësim, mësojmë përmes hulumtimeve, mësojmë përmes praktikës dhe mësojmë përmes diskutimeve dhe analizave të përmbajtjeve që gjenden  në burime të ndryshme të informimit.”,- u shpreh Mila Carovska nga MASh.

Këto komente Carovska i bëri pas promovimit të paraleles teknik farmaceutik në Shkollën e Mesme “Pançe Karagjozov” në Shkup.

GYLTENE SINANI