Botë

Dy viktima nga përmbytjet në ShBA, gjendje e jashtëzakonshme në Nju Jork e Nju Xhersi

02.09.2021 13:24

Mbetjet e uraganit “Ida” shkaktuan shira të furishëm dhe përmbytje në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara...

Nju Jorku shpalli gjendje të jashtëzakonshme, pasi u godit nga reshje rekorde të shiut. Sasi të mëdha uji hynë  në stacionet e metrosë dhe në shtëpitë e njerëzve. Shteti i Nju Xhërsit gjithashtu shpalli gjendje emergjence dhe raportoi së paku një viktimë.

Në Merillend, një person vdiq dhe një tjetër u zhduk pasi kompleksi i tyre i apartamenteve u përmbyt, duke lënë së paku 150 njerëz pa strehë. Shumë shërbime trenash dhe fluturime jashtë Nju Jorkut dhe Nju Xhërsit u pezulluan. Stuhia goditi edhe Pensilvaninë, Dellauerin, Merillendin dhe Uashingtonin. Erërat lanë pa energji elektrike qindra  mijëra njerëz.

Stuhia tropikale “Ida” goditi shtetin e Luizinaës të dielën, si uragan i kategorisë 4. Atmosfera e ngrohtë, e shkaktuar nga ndryshimet klimatike, i bën më të mundshme reshjet ekstreme.

Bota është ngrohur për rreth 1.2 gradë celsius qëkur ka filluar epoka industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten, nëse qeveritë nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve të gazrave.