Maqedoni

Kandidaturat e LSDM-së, Zaev: Dimitrievski u vetëpërjashtua. VMRO-DPMNE: LSDM parti e kidnapuar

02.09.2021 16:38

LSDM nuk ka rikandiduar disa kryetarë aktual të komunave për një mandat të dytë...

LSDM nuk ka rikandiduar disa kryetarë aktual të komunave për një mandat të dytë pasi nuk kanë dalë fitues në anketat që ka realizuar partia. Kreu i kësaj partie, Zoran Zaev, tha se rezultate të tilla negative janë shënuar në Radovish dhe Kumanovë dhe prandaj ka kandidatë të të rinj.

Sa i takon largimit të kreut të Kumanovës Maksim Dimitrievski nga anëtarësia e kësaj partie, Zaev tha se ky i fundit me rikandidimin si kandidat i pavarur ka shkelur statutin e partisë dhe është vetëpërjashtuar.

“Maksimi ishte anëtar i Kongresit, sipas funksionit si kryetar edhe anëtar i Këshillit Qendror dhe gjithmonë ka pasur mundësinë që të vijë dhe të shpreh vërejtjet e tij, kështu që e di se si merren vendimet. Vendim i tij që të mos pres LSDM të sjell vendimin dhe para kohe të braktis procesin e selektimit konformë hulumtimit është vendimi i tij dhe me këtë vendim ai morri edhe vendimin për vetëpërjashtim nga LSDM.”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Pakënaqësitë në LSDM i kanë ardhur në favor opozitës maqedonase. VMRO DPMNE konsideron se LSDM ka probleme të brendshme pasi është e kidnapuar nga kryesia e saj dhe interesat biznesore.

“Kriteret për t’u bërë kandidat për kryetar komune i LSDM-së janë ose je familjar i ndonjërit nga anëtarët e kryesisë të partisë ose të keni relacione biznesore me vëllanë e Zoranit, Vice Zaev.” – thuhet në kumtesën e VMRO DPMNE-së.

Ndërkaq, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, shprehu keqardhje që Partia e “E majta” nuk i është bashkangjitur koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE kundër LSDM-së. Në një paraqitje mediatike, ftoi votuesit e të Majtës që ta përkrahin VMRO DPMNE-në në ato vende ku kjo e fundit nuk ka kandidat për kryetar komune dhe listë për këshilltarë.

SHPËTIM NUREDINI