Maqedoni

Rasti “Parcelat në Vodno”, seanca anulohet me kërkesë të mbrojtjes

02.09.2021 17:00

Sërish anulohet procesi gjyqësor për rastin “Parcelat në Vodno”...

Sërish anulohet procesi gjyqësor për rastin “Parcelat në Vodno”, kësaj radhe me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarës, Ratka Kamçeva. Avokati i angazhuar në këtë rast, Zvonko Davidoviq, theksoi se në këto raste palët nuk janë të barabarta, prokuroria është më e privilegjuar ndërsa mbrojtja kritikohet nëse kërkon anulim të seancës.

“Nuk kishte asnjë reagim kur seanca u anulua për shkak të prokurorit, por sot për shkak të angazhimit të njërit nga kolegët që kishte seancë publike u qortuam si mbrojtje se pse e anulojmë lëndën që është në paraburgim, por kjo lëndë gjatë gjithë kohës është e tillë edhe në seancën e kaluar kur u anulua për shkak të prokurorit. Kjo tregon se palët prapë se prapë nuk janë të barabartë në procedurë dhe kemi një palë e cila është shumë më e privilegjuar dhe ka disa të drejta më shumë. Si do të vijojë dhe mbarojë lënda varet prej dëshmive materiale që prokuroria i propozon. Kam thënë posaçërisht për klientin tim rasti është i montuar ku nuk ekziston vepër paraprake penale që të dëshmojë ndihmën përmes larje parash.”,- deklaroi avokati, Zvonko Davidoviq.

Davidoviq shtoi se nuk mund të marrin përsipër mbrojtjen e ndonjë të akuzuari tjetër në rastin kur mungon avokati i tij mbrojtës për arsyen se nuk janë përgatitur dhe nuk kanë shqyrtuar lëndën.

Në këtë rast të akuzuar janë 6 persona, në mesin e të cilëve biznesmeni, Orce Kamçev, dhe nëna e tij, Ratka Kamçeva, Nikolla Gruevski, si dhe ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov. Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 10 shtator.

FLORIJE BELULI KAMBERI