Maqedoni

Ndihma e shpejtë: 80% e të sëmurëve që kërkojnë ndihmë, me Covid

02.09.2021 17:15

Është rritur numri i pacientëve me Covid-19 që kërkojnë intervenim nga ndihma e shpejtë...

Nga thirrjet që i marrin nga atje, 80% janë të sëmurë me Covid-19 dhe urgjenca ka vështirësi për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave për ndihmë. Nga Ndihma e Shpejtë thonë se gjatë gjithë kohës janë ne komunikim me personelin mjekësor nëpër spitale se ku ka vend të lira për ta transferuar pacientin. 
 
“Më së shumti kërkojnë mendim në linjën SOS se çfarë të bëjnë  kur  kanë temperaturë të lartë. Ne mund të intervenojmë kur kanë probleme me frymëmarrje, kur kemi ulje të saturacionit. Në Ndihmën e Shpejtë ata që më shpesh kërkojnë ndihmë, janë personat më të moshuar, sepse ata e kanë më të vështirë për të lëvizur. Por, ka edhe prej atyre të moshës më të re që kërkojnë ndihmë. Mund të them se nga kjo valë e pandemisë më së shumti të infektuar janë të rinjtë që iu përkeqësohet përnjëherë gjendja shëndetësore.”,- deklaroi një mjeke.
 
Qytetarët: Po vaksinohemi për t’u mbrojtur nga virusi
 
Vazhdon ndërkohë procesi i imunizimit. Gjatë 24 orëve janë vaksinuar 12.022 qytetarë. Të vaksinuarit u apelojnë edhe të tjerëve për t’u imunizuar, për të mbrojtur shëndetin e tyre.
 
“Bëhet fjalë për shëndetin, e kemi patjetër të vaksinohemi.”,- tha një qytetar.
 
“Të mbrohemi nga Covid-19 dhe ne nuk kemi qenë të infektuar me Covid.”,- theksoi një qytetar.  
 
“Është shumë rrezik dhe prandaj po vaksinohemi.”,- u shpreh një qytetar. 
 
Ministria e Shëndetësisë  informon se deri tani janë vaksinuar me një dozë   rreth 53% e popullsisë mbi 40 vjeç, ndërsa po me një dozë janë vaksinuar rreth  28% e popullsisë 18 vjeç deri 39 vjeç. Pikërisht për shkak të përqindjes së ulët të vaksinimit te të rinjtë, shtohen apelet edhe për ta.
 
Virusi nuk njeh moshë dhe vaksina jo vetëm që mbron shëndetin, por edhe nëse infektohen, simptomat janë ndjeshëm më të lehta.  
 
REJHANE BUSHI METAJ