Zelanda e Re, gjashtë të plagosur në një sulm terrorist
Një “ekstremist i dhunshëm”, i cili ishte i frymëzuar nga ISIS-i, u vra nga policia e Oklandit, në Zelandën e Re...

Një “ekstremist i dhunshëm”, i cili ishte i frymëzuar nga ISIS-i, u vra nga policia e Oklandit, në Zelandën e Re, pasi plagosi me thikë të paktën 6 persona në një supermarket.
Sipas autoriteteve vendore, 3 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë, për shkak të plagëve të marra në qafë dhe gjoks.
Kryeministrja, Jacinda Ardern, njoftoi se agresori është një 32-vjeçar nga Sri Lanka, i identifikuar vetëm si “S” për arsye ligjore dhe konsiderohet si një nga ekstremistët më të rrezikshëm të Zelandës së Re që nga viti 2016.
Hetuesit thanë se agresori e gjeti thikën brenda supermarketit, pa dhënë detaje të tjera për shkak se hetimi është në vazhdim. Kryeministrja Jacinda Ardern, e përshkroi ngjarjen si sulm terrorist. Në mars të vitit 2019, Zelanda e Re përjetoi një tjetër sulm të madh terrorist, ku mbetën të vrarë 51 persona. Sulmuesi i dy xhamive në Kristçërç, u dënua vitin e kaluar me burgim të përjetshëm.
