Rrjedhin afatet në KShZ, 10,724 qytetarë kontrolluan Listën Zgjedhore. Zgjedhjet lokale, KShZ pret ende aparatet fingerprint
Rrjedhin ndërkohë afatet edhe për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 17 tetor...

Kanë mbetur edhe 7 ditë për këqyrjen publike të Listës Zgjedhore dhe 9 ditë për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe këshilltarë. KSHZ informon se procedura për këqyrjen publike të Listës, që do të zgjasë deri më 9 shtator, po zhvillohet pa probleme.
Aktualisht listën e zgjedhësve e kanë kontrolluar 10 mijë e 724 persona, u paraqitën gjithsej 27 kërkesa për regjistrim, 23 kërkesa për fshirjen e të dhënave dhe 15 kërkesa për ndryshim të të dhënave.
Por, derisa këqyrja e listës zgjedhore po shkon si duhet, KSHZ ende nuk ka pranuar aparatet për identifikimin e shenjave të gishtërinjve të votuesve, që për herë të parë do të përdoren në këto zgjedhje.
Presin që 200 pajisjet e para t’u arrijnë gjatë fundjavës e në 1 tetor të kompletohet pranimi i të gjitha aparateve të nevojshme. Vazhdon ndërkohë trajnimi i personave që do të trajnojnë më pas këshillat zgjedhorë.
