Vazhdojnë promovimet e projekteve, Zaev: Nuk ka shkelje, respektojmë ligjin
Edhe pse që nga shpallja zyrtare e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk ka ditë që ministrat...

Edhe pse që nga shpallja zyrtare e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk ka ditë që ministrat, drejtorët apo kryetarët e komunave të mos promovojnë projekte të reja, kreu i ekzekutivit nuk shikon asgjë joligjore në këtë drejtim.
Thotë se ligji mundëson promovimin e projekteve për të cilat që para zgjedhjeve janë paraparë mjete financiare, e nuk e sheh problematik faktin se projektet që zvarriten me vite, promovohen pikërisht kur zgjedhjet janë shpallur. Sipas tij, promovimet e tilla nuk bëhet për të rritur rejtingun e krerëve të komunave që rikandidohen, por janë pjesë e programit qeveritar.
“Ligji përshkruan qartë kur lejohet, kur nuk lejohet. Ne i bindemi ligjit... Asgjë e veçantë nuk po bëhet tani nga ajo që u bë gjashtë muaj më parë ose një vit më parë.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
I pyetur se përse tani nuk i pengon ajo për të cilën kanë pasur vërejtje kur ishin pjesë e opozitës, Zaev me përgjigje se kjo çështje është rregulluar në legjislacionin zgjedhor.
“Vërejtjet e dhëna nga opozita e atëhershme, e udhëhequr nga unë, u inkorporuan në Kodin Zgjedhor të mbështetura nga LSDM, VMRO-DPMNE, BDI, Besa, Aleanca, PDSh, atëherë të gjitha ato që ishin dhe sot do të shihni nenin 8, pra konsensusi i të gjithëve si nevojë për të hequr ato dobësi dhe ato u hoqën. Kjo është arsyeja pse sot dihet kur duhet të lëshoni objekte, dhe kur është e ndaluar, kur keni të drejtë të përdorni burimet publike, kur është absolutisht e ndaluar. Dënimet përfshihen në Kodin Zgjedhor dhe disa dënime edhe në Kodin Penal.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Megjithëse kreu i ekzekutivit nuk sheh në promovimet e tilla, favorizim të kandidatëve aktualë që duan edhe një mandat, këta të fundit sigurisht që u mburrën me përfundimin e renovimit të tregut të Bit Pazar, pa dhënë sqarime plotësuese se përse i njëjti u zvarrit për mbi 10 vite.
REJHANE BUSHI METAJ
