Mehmedoviq: Gjendja e pacientëve po përkeqësohet shpejt
Virusi Korona po godet të gjitha organet duke bërë që shumë shpejtë të përkeqësohet gjendja e pacientëve...
Virusi Korona po godet të gjitha organet duke bërë që shumë shpejtë të përkeqësohet gjendja e pacientëve, thonë mjekët. Mjeku Mehmedoviq thotë se virusi po godet jo vetëm mushkëritë e bardha, por edhe gjakun, zemrën, veshkat, sistemin endokrinologjik dhe trurin, duke shkaktuar komplikime edhe tek të rinjtë pa sëmundje tjera.
“Shumë shpejt mund të eskalojë përkeqësimi i gjendjes shëndetësore, prandaj pacientët duhet t’i ndjekim me kujdes gjatë terapisë së tyre, madje edhe terapi në shtëpi. Diçka që duhet theksuar në veçanti është që të mos ndodhë të vijnë me formë të zhvilluar apo të rënduar të sëmundjes, që do të jetë edhe më e komplikuar për trajtim.”,- deklaroi mjeku, Zllate Mehmedoviq.
Fëmijët gjithnjë e më të rrezikuar nga Kovid-19
Mehmedoviq njëherit thekson se pas fillimit shkollor duhet të ndiqet me vëmendje gjendja epidemiologjike në shkolla.
“Kjo është ngjarje serioze epidemiologjike, që duhet kuptuar seriozisht. Ka shumë përvoja në botë se si ky virus reagon në organizmin e fëmijëve. Vlerësoj se tanimë është jo serioze të flasim për atë se fëmijët nuk janë në rrezik nga virusi dhe në mënyrë asimtomatike do ta kalojnë sëmundjen.”,- deklaroi mjeku, Zllate Mehmedoviq.
Me imunizim masiv dhe respektim të masave parandaluese mund ta fitojmë pandeminë, thotë Mehmedoviq. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se vdekshmëria më e lartë e Kovid pacientëve është në qytetet me përqindje të ulët të vaksinimit.
Në Tetovë dhe Gostivar ku përqindja e të vaksinuarve është më e ulët së fundmi regjistrohet numër i lartë viktimash, për dallim nga Gjevgjelia, Kavadari, Resnja dhe Berova, ku përqindja e të vaksinuarve është mbi 50%, vdekshmëria është më e ulët. Po ashtu Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se deri të enjten janë vaksinuar 737 mijë e 60 qytetarë, ndërsa janë rivaksinuar 555 mijë e 332 qytetarë. Dozën e parë të vaksinës dje e kanë marrë 3 mijë e 475 persona, ndërsa gjithsej janë vaksinuar 13 mijë e 37 qytetarë.
GYLTENE SINANI
