Maqedoni

Protesta në Bërnjancë, shkolla tensionon situatën mes banorëve

03.09.2021 16:05

Nxënësit shqiptarë në fshatin Bërnjancë vazhduan me protesta para Shkollës “Kërste Misirkov” në këtë fshat...

Nxënësit shqiptarë në fshatin Bërnjancë vazhduan me protesta para Shkollës “Kërste Misirkov” në këtë fshat, duke kërkuar që edhe ata ashtu si edhe bashkëmoshatarët e tyre maqedonas të mësojnë në të njëjtën shkollë.
 
Por, derisa mbahej protesta, afër shkollës erdhën edhe prindërit që kishin fëmijët në shkollë dhe u shprehën kundër që fëmijët shqiptarë të mësojnë në shkollë, pasi ndihen të kërcënuar.
 
“Çdo natë ne jemi në stres, unë duhet ta ruaj fëmijën tim pasi këtu në qendër të fshatit ne duhet të merremi me policinë, a jeni të vetëdijshëm se fëmijët tanë i është vendosur thikë në fyt.”,- tha një banor.
 
Banorët shqiptarë thonë se fëmijët e tyre do të vazhdojnë bojkotin e mësimit dhe protestat.
 
“Ja unë sot nuk i kam dërguar në shkollë dhe nuk do t’i dërgoj në Haraçinë, pasi këtu ne na takon, derisa të zgjidhet problemi ne do të jemi çdo ditë këtu.”,- u shpreh një banor.
 
“Protestën e kemi lajmëruar në polici dhe përderisa të na gjejnë zgjidhje ne do të vazhdojmë, sepse ky problem është 2/3 vite.”,-theksoi një banor. 
 
“Bash atë personin që ia kam blerë vendin pikërisht ai ka dalë në protestë për të bërë protestë. Të drejtat janë të barabarta, sikur që janë ata edhe ne jemi këtu.”,- tha një banor. 
 
Komuna e Gazibabës deri tani nuk ka ofruar zgjidhje për këtë problem, ndërsa TVM2 kontaktoi edhe MASh nëse kjo e fundit ka ndërmarrë diçka në lidhje me gjetjen e një zgjidhjeje, por nga atje përmes telefonit na u përgjigjen se pasi të njoftohen me detajet e problemit në fjalë do të përgjigjen për media.
 
ZEKIRJA MEXHITI