Maqedoni

Zaev dhe Nikollovski, promovuan fushatën anti-korrupsion

03.09.2021 17:29

Kryeministri Zaev dhe zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit Nikollovski...

Kryeministri Zaev dhe zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit Nikollovski, prezantuan fillimin e implementimit të fushatës për ngritjen e vetëdijes në luftën kundër korrupsionit. Fushata ka për qëllim afirmimin e mekanizmave të vendosura për bashkëpunim në mes të institucioneve, t’i mobilizojë qytetarët dhe administratën shtetërore të jenë më të zëshëm dhe të guximshëm në luftën kundër korrupsionit.
 
“Kjo është një kampanjë me komunikim të gjerë me të vetmin qëllim, që të informohet opinioni për dëmet nga korrupsioni në funksionimin e një shoqërie dhe për ngritjen e vetëdijes tek çdo qytetarë që ta njeh dhe ta paraqesë korrupsionin. Qytetarët duhet t’i kërkojnë dhe t’i mbrojnë qartë dhe zëshëm të drejtat e tyre, ndërsa institucionet atë duhet ta respektojnë.”,- deklaroi zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit, Ljupço Nikollovski.
 
Nikollovski shtoi se janë duke punuar edhe në eleminimin e dobësive sistemore të cilat i kanë detektuar në strategjinë për konfiskimin e pasurisë.
 
“Në periudhën e kaluar kemi detektuar se si procedurat nuk funksionojnë. Komisioni anti korrupsion mund të udhëhiqet procedura vetëm kundër funksionarëve aktual dhe deri sa janë në funksion duke përfshirë këtu edhe gjyqtarët, prokurorët dhe funksionarë të tjerë. I kemi dobësitë e sistemit të cilat duhet t’i menjanojmë nëpërmjet mënyrave të reja. Deri tani nuk kemi asnjë procedurë e cila është ngritur nga ana e komisionit anti korrupsion. Në kuadër të grupit punues të Këshillit të Evropës janë nënvizuar dobësitë posaçërisht në procedurat penale ku nuk vjen deri tek konfiskimi i pasurisë.”,- tha zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski.
 
Edhe kryeministri Zaev iu bëri thirrje qytetarëve që të mos frikësohen dhe të paraqesin rastet e korrupsionit pasi tani gjithçka është publike ndërsa funksionarëve iu dërgoi porosi se korrupsioni nuk paguhet, ndërsa ata që e marrin përfundimin e kanë në burg.
 
GAZMEND KURTISHI