Botë

Vaksinimi, disa vende evropiane filluan me dozën e tretë

03.09.2021 19:53

Qiproja dhe Italia njoftuan se do të fillojnë të japin doza përforcuese të vaksinave kundër virusit Korona...

Qeveria italiane tha se do të fillojë të ofrojë dozën e tretë për grupet e cenueshme, siç janë ato me sistem të dobët imunitar, duke filluar nga fundi i këtij muaji. Kryeministri, Mario Draghi, tha se në Itali janë vaksinuar 70 për qind e qytetarëve të moshës mbi 12.

Qiproja njoftoi se do t'u japë dozën e tretë personave mbi 65 vjeç dhe banorëve të shtëpive të kujdesit, vaksinimi i plotë i të cilëve është bërë para më shumë se gjashtë muajsh.

Më 1 shtator, Franca është bërë vendi i parë i madh i Bashkimit Evropian që ka nisur të japë doza përforcuese për njerëzit mbi 65 vjeç dhe ata me imunitet të dobët. Edhe autoritetet shëndetësore spanjolle po shqyrtojnë veprime të ngjashme. Në fillim të kësaj jave, Bashkimi Evropian në tërësi ka arritur objektivin e tij fillestar për vaksinimin e 70 për qind të të rriturve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kritikuar vendet e pasura që po përgatiten për të siguruar doza përforcuese, derisa vendet e varfra luftojnë ende për të siguruar furnizimet me doza të para.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka thënë se njerëzit e vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë urgjente për dozën e tretë, porse ajo duhet të merret parasysh për njerëzit me sistem të dobët imunitar.