BDI zyrtarizoi kandidatët për kryetarë komunash të cilët do të garojnë në zgjedhjet e 17 tetorit. Këshilli i përgjithsëhm i BDI-së në takimin e mbajtur në Gostivar, në mënyrë unanime ka mbështetur kandidatët e propozuar nga kreu i partisë, Ali Ahmeti.
“Për Komunën e Tetovës, zonja Teuta Arifi; për Komunën e Gostivarit, z. Nevzat bejta; për Komunën e Kërçovës z. Fatmir Dehari; në Strugë z. Ramiz Merko; në Çair, z. Visar Ganiu; në Dibër, dr. Hekuran Duka; në Saraj, z. Blerim Bexheti; në Likovë, Erkan Arifi; në Pllasnicë, Ali Jaoski; në Vrapçishtë, Nebi Rexhepi; në Bogovinë, Benik Emshiu; në Zhelinë, Fatmir Izairi; në Tearcë Nuhi Neziri; në Haraçinë, Ridvan Ibrahimi; në Studeniçan Ejup Abazi; në Bërvenicë, Arkin Jahii dhe në Çashkë, Suad Shaqiri si dhe si bartës Liste për Qytetin e Shkupit, z. ardian Muça.”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Lëvizja Besa kandidon Zendelin në Gostivar
Edhe Lëvizja Besa ka promovuar kandidatin e saj për Komunën e Gostivarit deputetin aktual Fadil Zendeli. Kreu i kësaj partie Bilall Kasami konsidedon se kanë ofruar kandidatin më të mirë dhe ftoi qytetarët që të mos bien pre e fushatës negative.
“Ne Gostivarit i kemi ofruar kandidatin më të mirë, më të ndershëm, më të sinqertë dhe më të përgatitur, profesor Fadil Zendelin. Oponentët tanë tentojnë të imponojnë një fushatë të zezë, me fyerje, sharje, gënjeshtra dhe shumë elemente negative. Të nderuar anëtarë dhe simpatiznatë të Lëvizjes Besa, më lejoni të kërkoj nga ju qetësi, mature dhe mirësjellje.”, tha Bilall Kasami, kryetar i L. Besa.
PDSH zyratizon kandidatin për Likovën
Edhe PDSH ka zyrtarizuar kandidatin për kryetar komune si dhe listën e këshilltarëve në Likovë. Hevzi Jashari është kandidati i PDSH-së për kryetar komune ndërsa bartës i listës do të jetë Ragmi Isufi. Në Kumanovë Bartës i listës për këshilltarë do të jetë Halil Kurtishi.
ASH-AAA, të dielën vendosin për Tetovën
Ndërkohë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa për të dielën kanë thirrur mbledhjen e Kuvendit Qendror ku do të shqyrtohen dy kandidaturat për Tetovën. Organet partiake do të duhet të vendosin mes Vullnet Murselit dhe profesoreshës Vjollcë Berisha.
LSDM ka publikuar emrat; VMRO, vetëm 26
Në bllokun politik maqedonas LSDM thuajse ka publikuar të gjitha emrat e kandidatëve për kryetar Komune, përveç kandidatit për Kavadarin, ndërsa VMRO DPMNE ka caktuar vetëm 26 kandidatë. Sipas Socialdemokratëve ky problem i opozitës maqedonase vjen nga fakti se askush nuk dëshiron të garojë për humbje.
SHPËTIM NUREDINI