Botë

Rreth 28% e izraelitëve kanë marrë dozën III, mbi 60% janë vaksinuar plotësisht

05.09.2021 14:04

Kryeinfeksionisti i Izraelit parashikon kryerjen e dozave përforcuese ndaj Covidit çdo 6 muaj...

Kryeinfeksionisti i Izraelit parashikon kryerjen e dozave përforcuese ndaj Covidit çdo 6 muaj apo një vit pasi vaksinat nuk po kanë efekt ndaj varianteve të reja të koronavirusit. Rreth 28 për qind e izraelitëve kanë marrën dozën e tretë dhe po përgatiten për vaksinën e katërt.
 
Izraeli po bëhet gati t'u injektojë banorëve dozën e katërt të vaksinës kundër virusit SARS-CoV-2 që sjell sëmundjen e Covidit-19.
 
Kreu i autoritetit që vendos për pandeminë në vend tha se një dozë e re përforcuese nevojitet përderisa virusi qarkullon ende dhe vaksinat e antitrupat e humbasin efektin përgjatë muajve.
 
Vaksina e katërt do të modifikohet për t'i bërë ballë më mirë variantit Delta të koronavirusit.
 
Popullsia do duhet ta marrë dozën përforcuese çdo vit, çdo pesë a gjashtë muaj, pasi pas gjashtëmujorit do të humbasë edhe vlefshmëria e pasaportave të vaksinimit, sqaroi shefi i ekipit izraelit për pandeminë.
 
Izraeli më 1 gusht u bë vendi i parë që nisi zyrtarisht fushatën e imunizimit të banorëve me dozën e tretë të vaksinës antikovid.
 
Edhe vendet europiane, si Italia, Franca, Gjermania apo Anglia po zbatojnë të njëjtën praktikë për shtresat më të rrezikuara.
 
Megjithatë të premten mbi 7 mijë izraelitë të tjerë u diagnostikuan si pozitivë me kovid-19.
 
Izraeli ka përdorur kryesisht vaksinën Pfizer.
 
Kompania farmaceutike amerikane ka njoftuar se po teston edhe një pilulë e cila merret nga goja dhe synohet të ndalë shumëfishimin e virusit, shtrimet në spital dhe fatalitetet e pacientëve.