Zgjedhjet lokale, të enjten përfundon kontrolli i listës zgjedhore
Vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe rrjedhin afatet në KSHZ....

Vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe rrjedhin afatet në KSHZ. Deri të enjten në mesnatë, qytetarët do të mund t’i kontrollojnë të dhënat e tyre në Listën zgjedhore. Deri më 11 shtator në mesnatë, në KSHZ dorëzohen kandidaturat e partive dhe kandidatëve të tjerë. Në Listën Zgjedhore deri të shtunën janë kontrolluar gjithsej 12 mijë e 128 persona, kumtoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Janë paraqitur 47 kërkesa për regjistrim, 28 kërkesa për fshirjen e të dhënave dhe 22 kërkesa për ndryshimin e të dhënave në listën zgjedhore. Pas këqyrjes publike dhe ndryshimeve, në listën zgjedhore vendosen edhe të dhënat nga MPB për personat që kanë kërkesa për letërnjoftime të reja, nga Drejtoria për Sanksione dhe nga MPPS për personat në shtëpitë e pleqve. Lista zgjedhore mbyllet më së voni deri më 24 shtator dhe duhet të nënshkruhet më së voni deri më 1 tetor.
