Maqedoni
21 viktima në 24 orë, Filipçe: Së shpejti pikë vaksinimi në USHKM
06.09.2021 11:17
Procesi i regjistrimit dhe përgatitjet për zgjedhje, po bëhen në një periudhë kur vendi përballet me një rritje të shifrave Covid....

Procesi i regjistrimit dhe përgatitjet për zgjedhje, po bëhen në një periudhë kur vendi përballet me një rritje të shifrave Covid. 21 janë viktimat e regjistruara në 24 orët e fundit. Nga 5 mijë e 416 teste të kryera, janë regjistruar 459 raste të reja, prej të cilëve 235 vetëm në Shkup. Janë shëruar 368 pacientë. Aktualisht në vend ka 15 mijë e 171 raste aktive. Sot nga Spitali i Tetovës informuan për 6 viktima dhe 91 pacientë të hospitalizuar, prej tyre 6 persona janë me nga një dozë të vaksinës, ndërsa 8 me dy doza. 90 pacientë janë me terapi oksigjeni, një është në respirator. Në spitalin e Tetovës aktualisht ka 154 pacientë Covid. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi se theksi do të vihet në vaksinimin e të rinjve, pikërisht për këtë arsye, të enjten do të hapet edhe një pikë vaksinimi në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”. Filipçe i përkujton të rinjtë se të gjitha viktimat e moshës së re si pasojë e Kovid-19, kanë qenë të pavaksinuar.
Në shkolla ndërkohë janë paraqitur rastet e para të infektimit. Një rast i tillë i infektuar brenda shkollës është paraqitur në Veles e një tjetër në Shkup. Javën e kaluar u regjistruan edhe 4 fëmijë të infektuar në 4 shkolla në Shkup e u izoluan të gjithë nxënësit e klasave të tyre, por nuk ka të dhëna se ata u infektuan në ambientet e shkollave. Ministri Filipçe thotë gjithsesi se numri i fëmijëve të infektuar është i ulët. Interesimi i qytetarëve për vaksinim vazhdon të mbetet i lartë. 53% e popullatës mbi 40 vjeç është vaksinuar të paktën me një dozë. Aktualisht me dy doza janë vaksinuar rreth 565 mijë qytetarë.
