Botë
Shqipëri, hynë në fuqi masat e reja, rrëmujë në kufi
06.09.2021 13:21
Në Shqipëri nga kjo e hënë hynë në fuqi masat e reja anti-Covid....

Në Shqipëri nga kjo e hënë hynë në fuqi masat e reja anti-Covid. Por, megjithëse të paralajmëruara më herë, masat i kanë gjetur të papërgatitur qytetarët që kaluan kufirin. Pritje të mëdha janë vërejtur edhe në vendkalimet kufitare të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Qytetarët ankohen sidomos për kërkesën për t’u bërë test fëmijëve dhe për çmimin shumëfish me te larte të testit në kufi.
“Ne duam të kalojmë ca ditë pushimi në bregdetin shqiptar por papritur u bllokuam në hyrje të Qafë Thanës me pretekstin se edhe fëmijët 6-11 vjeç që i kemi ne duhet të kenë test PCR. Nuk di kush është kjo kompani fantazmë, çfarë testi aplikon mbi fëmijët, ka mundësi që të kthehemi pas. Ky test në çdo vend europian është 80 cent, në vendin tonë shitet 2 euro në farmaci, ndërsa këtu i njëjti kushton 25 euro.”,- tha Bekim Rexhepi nga Tetova.
“Faqja e zezë, plaku me prit për test.”,- u shpreh qytetari nga Kosova.
“Është normale, masat janë të nevojshme.”,- theksoi një qytetar.
“Nuk po na lejojnë me hy duhet të kthehemi, se kemi ditur për masat.”,- theksoi një qytetar.
“Masat i kanë vendosur dje e ne biletat- ka kohë që i kishim prerë, asnjë agjenci nuk ka qenë i informuar.”,- tha një qytetar.
Edhe në portin e Durrësit të gjithë pasagjerët iu nënshtruan masave të vendosura nga komiteti teknik i ekspertëve. Asnjë person i huaj nuk u lejua të kalojë në territorin shqiptar pa pasur me vete certifikatën e vaksinimit, testin PCR apo atë stereologjik që tregon se ka kaluar Covidin. Shtetasit shqiptar që kishin mungesë dokumentacioni do qëndrojnë në karantinë për 10 ditë.
LULJETA NDOKA
