Maqedoni
Tetovë, brenda 24 orëve 6 të vdekur, 91 të hospitalizuar
06.09.2021 14:53
Situata me Covid-19 po shkon drejt stabilizimit, thonë nga Covid qendra në Tetovë...

Situata me Covid-19 po shkon drejt stabilizimit, thonë nga Covid qendra në Tetovë, prej ku bëhet e ditur se gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë 6 persona, ndërsa 91 janë të hospitalizuar, të gjithë me terapi oksigjeni dhe në gjendje të rëndë shëndetësore. Mjekja Mianda Pajaziti thotë se edhe pse numri i të infektuarve në bazë ditore po shënon rënie, qytetarët duhet të vazhdojnë të jenë të kujdesshëm.
“Gjendja në Tetovë është më stabile se ditëve tjera, kemi 91 të hospitalizuar, të gjithë janë në gjendje të rëndë, kontrolle ka pasur dje shumë më pak se ditët tjera 43, kjo është një sukses dhe numrin e të sëmurëve bie. Gjatë 24 orëve, të fundi kemi 6 viktima, i moshës më të re 50 vjeç.”,- tha Miranda Pajaziti nga Qendra Covid.
Pajaziti njëherit thekson se shumica e pacientëve të cilët aktualisht janë të hospitalizuar janë persona të pavaksinuar.
“Prej të hospitalizuarve shumica janë të pavaksinuar, edhe pse kemi 8 pacientë me një dozë të vaksinimit, ndërsa 6 me dy doza. Pyetja e shpeshtë është se pse edhe ato të vaksinuar janë të infektuar, ne në asgjë formë nuk kemi thënë se vaksinimi mbron 100%, por mbron nga faza e rëndë e këtij virusi.”,- theksoi Miranda Pajaziti nga Qendra Covid.
Në Tetovë numri i përgjithshëm i të infektuar me Covid-19 arrin në mbi 1250 persona.
VISAR SADIKI
