Maqedoni

Zgjedhjet lokale, të enjten përfundon kontrolli i listës zgjedhore

06.09.2021 17:16

Deri të enjten në mesnatë, qytetarët do të mund t’i kontrollojnë...

Deri të enjten në mesnatë, qytetarët do të mund t’i kontrollojnë të dhënat e tyre në Listën zgjedhore. Në Listën Zgjedhore deri të shtunën janë kontrolluar gjithsej 12.338 persona, kumtoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. 
 
Janë paraqitur 54 kërkesa për regjistrim, 28 kërkesa për fshirjen e të dhënave dhe 22 kërkesa për ndryshimin e të dhënave në listën zgjedhore. kanë arritur edhe 54 kërkesa nëpërmjet postës elektronike.
 
Pas këqyrjes publike dhe ndryshimeve, në listën zgjedhore vendosen edhe të dhënat nga MPB-ja për personat që kanë kërkesa për letërnjoftime të reja dhe nga Drejtoria për Sanksione dhe nga nga MPPS për personat në shtëpitë e pleqve. 
 
Në këto zgjedhje, për herë të parë do të përdoren terminalet për skanimin e gjurmëve të gishtërinjve të votuesve. 200 aparatet e para “Fingerprint”, mbërritën në vend javën që lamë pas. Kompania “Dermalog” deri më 1 tetor do të duhet t’i dorëzojë të gjithë terminalet. KShZ ka përgatitur edhe doracakun për edukimin e organeve zgjedhore të cilët do të përfshin edhe trajnimet për përdorimin e e terminaleve. 
 
“Doracaku është shumë i rëndësishëm sepse ai me vete paraqet edhe bazë për realizimin e  trajnimeve të Komisioneve Komunale Zgjedhore. Janë parashikuar rreth 30 trajnime të cilët do të fillojnë të hënën dhe do të zgjasin deri të mërkurën ku trajnues të licencuar do të realizojnë trajnime të Komisioneve Komunale Zgjedhore.”,- tha zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.
 
Lista zgjedhore mbyllet më së voni deri më 24 shtator dhe duhet të nënshkruhet më së voni deri më 1 tetor. Deri më 11 shtator në mesnatë, në KShZ duhet të dorëzohen kandidaturat e kandidatëve për kryetarë dhe këshilltarë komunal. Fushata zgjedhore për raundin e parë të zgjedhjeve vendore fillon më 27 shtator dhe do të zgjasë deri më 15 tetor në mesnatë. 
 
REXHEP QAMILI