Botë
Rifillon mësimi në Afganistan, vajzat dhe djemtë në klasë, ndahen me perde
07.09.2021 12:09
Në Afganistan po kthehet normaliteti por me rregulla të reja....

Në Afganistan po kthehet normaliteti por me rregulla të reja. Studentët po rikthehen në universitete, pas disa javësh mungesë. Megjithatë në universitetet në Kabul, Kandahar dhe Herat, studentet femra janë ndarë me perde nga djemtë për momentin ndërkohë që duket se shumë shpejt do ndahen në klasa të veçanta. Talebanët njoftuan që javën e kaluar se shkollimi duhet të rifillojë, por meshkujt dhe femrat duhet të ndahen.
"U takon universiteteve dhe mësuesve të sigurojnë që dekreti ynë, veshja islame dhe respektimi i ligjit të Sheriatit, të respektohen. Vajzat duhet të kuptojnë se kjo është për të mirën e tyre.",- deklaroi ministri i arsimit të lartë – Afganistan, Abdul Baqi Haqani.
Por studentet nuk i kuptojnë rregullat e rrepta.
“Unë mendoj se e respektoj veshjen islame. Epo, unë nuk dua të vesh hixhab të zi sepse mendoj se është shumë nxehtë e është vështirë të mbulohesh tërësisht.",- tha një studente.
"Është absurde por nuk kemi zgjidhje. Më herët ne studionim bashkë me djemtë dhe tani kjo perde, na bën një presion të tmerrshëm.”,- u shpreh një student.
Afganistan, u evakuuan edhe 4 amerikanë të tjerë
Katër amerikanë ndërkohë arritën të largohen nga Afganistani përmes një rruge tokësore me lejen e talebanëve, pak para se Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken të mbërrinte në Doha për të falënderuar zyrtarët e Katarit për ndihmën që dhanë si pikë tranziti për mijëra amerikanë dhe afganë, që u larguan nga Kabuli në fund të gushtit. Talibanët kanë premtuar se do t’u lejojnë kalim të sigurt afganëve dhe të tjerëve që duan të largohen, por katër avionë të planifikuar të nxirrnin shtetas afganë nga vendi janë bllokuar në fushën e aviacionit në Mazar-e-Sharif.
BELINDA KOKA ADEMI
