Maqedoni
Regjistrimi i popullsisë, Selami: Defektet u mënjanuan, procesi vazhdon
07.09.2021 14:14
Në ditën e tretë të procesit më të madh statistikor në vend, për një orë lidhja online...

Në ditën e tretë të procesit më të madh statistikor në vend, për një orë lidhja online e sistemit të regjistrimit nuk funksionoi. Por, nga ESHS thotë se priten probleme të tilla gjatë shfrytëzimit të një teknologjie që përdoret për herë të parë në vend, e ndalesa e rrjetit ishte në fakt restart i tërë sistemit pas eleminimit të defekteve që u vërejtën një ditë më parë.
Deri më tani askush nuk ka refuzuar të regjistrohet e nga ESHS shpresojnë në sukses të plotë të procesit.
“Kishim një problem teknik dje që na u paraqit, me ç’rast u bë resetimi i sistemit, tani abdejtohen të gjitha të dhënat dhe shpresojmë që dita e sotme dhe ditët në vijim deri më 30 shtator gjithçka do të shkojë mbarë ashtu siç duhet për një regjistrim të suksesshëm. Them një regjistrim i mbarë, sepse ju e dini dita e parë filloi me mbi 90 mijë regjistrime, dita e djeshme me të gjitha problemet teknike që kishim, sërish kaloi me mbi 50 mijë regjistrime dhe shpresojmë se sot e tutje do ta marrë hovin e duhur, tempon e duhur për regjistrime të mjaftueshme deri në fund të regjistrimit.”,- deklaroi zëvendësdrejtori i ESHS-së, Ilmi Selami.
Simovski: Nuk ka gjasa për dyfishim të të dhënave në sistem
Drejtori i Entit të Statistikave mohon informatat për dyfishim të të dhënave pas eliminimit të problemit teknik.
“Ndërprerja nuk mund të shkaktojë dyfishim të të dhënave. Besoj se nuk do të ketë nevojë të zgjatet afati për regjistrim, për shkak të këtyre problemeve, sepse ato pritet të tejkalohen.”,- theksoi drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostol Simovski.
Drejtuesit e ESHS-së, që vizituan Kumanovën për të parë si rrjedh procesi në terren, thonë se gjendja shëndetësore e regjistruesve është e mirë dhe shpresojnë të mbetet e tillë.
Sa i përket faktit nëse regjistruesit kanë listë të personave në izolim, thonë se ata kanë vetëm adresat, por jo emrat, e me këta persona dakordohen paraprakisht se kur do të jenë në gjendje të shkojnë për të kryer regjistrimin, sipas protokolleve për situata të tilla.
FATLUM AQIFI
