Maqedoni
Lufta kundër korrupsionit, Ahmeti: Përgjegjësi të gjithë, jo vetëm e politika
07.09.2021 14:35
Raportet e fundit ndërkombëtare për vendin, e cilësojnë korrupsionin si një nga problematikat kryesore.....

Raportet e fundit ndërkombëtare për vendin, e cilësojnë korrupsionin si një nga problematikat kryesore. Në raportin e fundit të Departamentit të Shtetit për klimën e investimeve në Maqedoninë e Veriut, potencohet qartë se mjedisi rregullator në vend është kompleks, ligjet ndryshojnë shpesh, duke krijuar mjedis të paparashikueshëm afarist, situatë kjo e përshtatshme për korrupsionin. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, thotë se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të lihet vetëm në dorën e politikanëve.
“Këtu të gjithë bashkë duhet të jemi, shoqëria civile, mediat, sepse korrupsion ke në shtetet e përparuara, mirëpo organizimi dhe mobilizimi është shumë më i lartë se sa në vendin tonë. Bashkërisht duhet të luftohet për dukurit e këqija dhe nuk duhet lënë përgjegjësia vetëm te autoritetet politike.”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Aleanca për Shqiptarët: Të korruptuarit s’mund të luftojnë korrupsionin
Por, nga Aleanca për Shqiptarët thonë se nuk mund të pritet që ta luftojnë korrupsionin ata që për 20 vite e instaluan atë në çdo pore të sistemit.
“Deklarata e Ali Ahmetit se kjo çështje nuk duhet t’i lihet vetëm politikës, është vetëm një tentim për t'ua hedhur fajin edhe mediave, sektorit civil dhe qytetarëve. Këtyre të fundit ne u bëjmë thirrje që bashkërisht t'i adresojmë dhe luftojmë të korruptuarit dhe t'ua heqim nga duart çdo pushtet e mundësi për krim dhe korrupsion.”,- thuhet ndër të tjera në deklaratën e ASh-së.
Komisioni Anti-korrupsion: Korrupsioni luftohet vetëm me sistem vlerash
Edhe nga Komisioni për Anti-korrupsion vlerësojnë se lufta e suksesshme kundër korrupsionit mund të fitohet vetëm atëherë kur do të arrihet të ndërtohet plotësisht sistemi i vlerave, ku profesionalizmi i individëve do të vije në dukje dhe kur qytetarët njëherë e përgjithmonë do të kuptojnë se nuk i kanë askujt për “borxh”, nëse punësohen, avancohen ose përparojnë dhe kur politikanët do ta kuptojnë se askush nuk u ka borxh atyre.
REXHEP QAMILI
