Maqedoni
Pendarvoski: Sfidat globale duhet të luftohen bashkërisht
07.09.2021 15:00
Ekonomia globale është ende shumë e brishtë dhe sfidat janë të mëdha....

Ekonomia globale është ende shumë e brishtë dhe sfidat janë të mëdha. Me rënie të BBV-së dhe humbje të mëdha përballen thuajse të gjitha industritë në botë, andaj zgjidhja është tek vaksinimi, thotë presidenti i shtetit, Stevo Pendravoski. Kësaj sfide globale ndaj njerëzimit duhet t’i kundërpërgjigjemi bashkërisht, ndërsa kujdes duhet pasur tek pabarazia gjatë shpërndarjes së vaksinave.
“Me përpjekje individuale nuk mund t’i kundërvihem kësaj sfide e cila rrezikon gjithë civilizimin njerëzor. Ekonomia globale është ende shumë e brishtë dhe sfidat janë të mëdha. Ndryshe nga viti i kaluar, parashikimi i përgjithshëm ekonomik është përmirësuar, megjithëse rimëkëmbja, siç parashikohej, është e ngadaltë. E qartë është se humbjet janë të mëdha dhe do të duhet kohë që ekonomia e vendit të rimëkëmbet, e cila edhe para pandemisë nuk ishte në një gjendje të lakmueshme.”,- tha presidenti, Stevo Pendarovski.
Masat ekonomike kanë dhënë indikacione pozitive, thotë zëvendëskryeministri Bytiqi, ndërsa shton se një nga sektorët kyç për rritje të BBV-së pritet të jetë sektori energjetik.
“Të gjitha ekonomitë duhet t’i përforcojnë investimet privato-publike. Planifikojmë të investojmë 8.2 miliardë nga të cilat 50 për qind e mjeteve janë investime private. Investime të fokusuara në tre drejtime kyçe që do të nxisin konkurushmërinë.”,- tha zëvendëskryeministri, Fatmir Bytiqi.
Banka Evropiane: vendi ka potencial, duhet kushte
Mundësitë në Maqedoninë e Veriut janë dhe duhet të hulumtohen ato, porositën nga Banka Evropiane.
“Mbështesim përmirësimin e infrastrukturës dhe japim mbështetje planit të qeverisë për qasje në BE, sepse besojmë që të gjitha këto së bashku do të mundësojnë që investitorët e huaj të rizbulojnë Maqedoninë e Veriut.”,- u shpreh Jirgen Rigternik nga Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim.
Komentet e këtilla u bënë gjatë konferencës "Rimëkëmbja dhe rritja ekonomike pas Kovid", e cila po mbahet në Shkup në kuadër të Forumi Ekonomik.
ZEKRIJA MEXHITI
