Maqedoni
ISHP: Ka 27.3% më pak raste se javën e kaluar
07.09.2021 15:23
Instituti i Shëndetit Publik njofton për rënie të testimeve gjatë periudhës njëjavore....

Instituti i Shëndetit Publik njofton për rënie të testimeve gjatë periudhës njëjavore. Nga 30 gushti deri më 5 shtator, janë kryer 38.587 testime, që është për 5.6% më pak se java e kaluar. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 4.623 raste të reja në 34 qytete, e kjo ka rezultuar me 27.3% më pak raste se javën e kaluar. Përqindja e rezultimit pozitiv lëviz mesatarisht në 11.7%. Rastet e reja kryesisht prekin të moshuarit mbi 60 vjeç, por janë regjistruar edhe 85 raste te fëmijët nga 0-9 vjeç. Gjatë javës së kaluar janë shëruar 3.724 persona, që është një rritje prej 17% në krahasim me javën e kaluar, ka pasur gjithsej 194 vdekje në 22 qytete, më së shumti në Shkup, Tetovë, Gostivar dhe Kumanovë.
Ministria e Shëndetësisë: 579.358 qytetarë janë rivaksinuar
Nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se procesi i Vaksinimit po zhvillohet pandërprerë në të gjitha pikat e vaksinimit dhe pikat mobile në terren. Aktualisht në vend janë aplikuar gjithsej 1.332.658 doza të vaksinës, ndërsa 579.358 qytetarë janë rivaksinuar.
“Vetëm të hënën janë vaksinuar 14.159 qytetarë, 3.621 prej të cilëve me dozën e parë. Me një dozë janë vaksinuar rreth 54% e popullsisë mbi 40 vjeç. 29% e popullsisë mbi moshën 18-39 vjeç kanë marrë një dozë të vaksinës”.
Autoritetet apelojnë për vaksinim masiv, sidomos të të rinjve. Thonë se vaksinat janë të sigurta dhe efektive dhe janë mënyra e vetme për të mposhtur pandeminë.
REJHANE BUSHI METAJ
